Udhëheqësi suprem i Iranit ka fajësuar SHBA-të dhe Izraelin për protestat që kanë përfshirë vendin që pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.
Në komentet e tij të para publike mbi trazirat, Ayatollah Ali Khamenei tha se, “protestat u nxitën nga armiqtë e mëdhenj të Iranit dhe aleatët e tyre”.
“Vdekja e Aminit na theu zemrat, por ajo që nuk është normale është se disa njerëz, pa prova apo hetim, i kanë bërë rrugët të rrezikshme, kanë djegur Kuranin, kanë hequr hixhabet nga gratë e mbuluara dhe u kanë vënë zjarrin xhamive”, tha ai gjatë një ceremonie diplomimi të kadetëve të policisë dhe forcave të armatosura të hënën.
Ajatollahi shtoi se “fuqitë e huaja kishin planifikuar trazira sepse nuk mund të toleronin që Irani të fitonte forcë në të gjitha sferat”.
“Unë e them qartë se këto trazira dhe pasiguri janë krijuar nga Amerika dhe regjimi okupues, [Izraeli], si dhe agjentët e tyre të paguar, me ndihmën e disa iranianëve tradhtarë jashtë vendit,” u shpreh ai.
Komentet e Ayatollah Khamenei-t erdhën një ditë pasi forcat e sigurisë goditën me dhunë një protestë të studentëve në universitetin më prestigjioz të shkencës dhe inxhinierisë në Iran, duke arrestuar dhjetëra prej tyre.
Protestat shpërthyen pasi Mahsa Amini, vetëm 22 vjeç, vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia e moralit më 13 shtator në Teheran vetëm sepse ajo nuk ishte mbuluar me shami.
Familja e vajzës akuzoi oficerët se e kanë dhunuar vajzën e tyre në një nga automjetet me të cilën e shoqëruan. Ndërsa Policia pretendon se nuk ka prova për ndonjë keqtrajtim.
Irani Human Rights tha të dielën se të paktën 133 njerëz janë vrarë nga forcat e sigurisë deri më tani. 41 protestues kanë vdekur vetëm në përleshjet e fundit në Zahedan të premten.