Komisioni Europian vlerësoi ecurinë pozitive të vitit të kaluar nga KPP. Në raportin për këtë institucion KE veçon sidomos faktin e sistemit të ri elektronik ku çdo qytetar mund të bëjë dhe ankesa të cilat shqyrtohen në kohë rekord nga KPP.
Raporti i KE për KPP:
Kushtetuta dhe Ligji për prokurimin publik përmbajnë dispozita në lidhje me mjetet e rishikimit juridik që janë kryesisht në përputhje me Direktivën. Sistemi i mjeteve juridike është lehtësisht i aksesueshëm për operatorët ekonomikë, pa diskriminim, megjithëse i nënshtrohet një tarife.
KPP është një organ i pavarur shqyrtues me 36 poste, gjashtë prej të cilave janë vakante, që merret me ankesat lidhur me procedurat e prokurimit publik. Vendimet e tij mund të ankimohen në Gjykatën Administrative të Apelit. Procedimi i ankesave brenda afatit ligjor u përmirësua më tej në vitin 2021 në 89.2% (krahasuar me 78% në 2020) me një numër të ngjashëm ankesash të pranuara (768, krahasuar me 741 në 2020). Në tetor 2021, KPP lançoi një sistem të ri të menaxhimit të ankesave elektronike dhe e-ankesave për paraqitjen dhe menaxhimin elektronik të çështjeve si dhe nënshkrimin elektronik të dokumenteve dhe akteve.
Sistemi i ri ofron statistika në kohë reale, buletine mujore dhe informacion për palët e interesuara, duke përfshirë personat me dëmtime në shikim përmes një motori të veçantë aksesi. Kapaciteti i KPP-së dhe Gjykatës Administrative për tu marrë me një numër të madh ankesash duhet të përmirësohet më tej. Si rezultat i një marrëveshjeje bashkëpunimi të lidhur mes KPP-së dhe Universitetit të Tiranës për zhvillimin e kurseve të specializuara në trajnimin për prokurimin publik, stafi i KPP-së përfundoi një kurs trajnimi të certifikuar 13-javor (me tema të ndryshme)nga shtatori deri në dhjetor 2021.