Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, foli në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së Premier League në shtëpi kundër Leeds. Mes temave të shumta të trajtuara, përfshirë Napolin si kundërshtarin e radhës në Champions League, gjermani pati hapësirë për të folur edhe mbi Botërorin e Katarit.
Kujtojmë se nga “Reds” do të largohen shumë lojtarë për të luajtur me kombëtaret e tyre përkatëse.
“Një Liverpool ndryshe pas Kupës së Botës? Kjo nuk është çështja ime. Sigurisht që po, ne do të jemi ndryshe. Do të duhet të kthehemi në stërvitje me të gjithë lojtarët. Do të varet gjithashtu nga mënyra se si lojtarët do të kthehen pas Kupës së Botës, sepse ne nuk e kemi idenë.
Faktori që do të ketë rëndësi do të jetë nëse ata do të kthehen të shëndetshëm apo jo, – iu përgjigj Klopp ngacmimit të një gazetari. – Do të ishte fantastike nëse lojtarët e mi do të largoheshin (eliminoheshin) menjëherë nga Kupa e Botës, duke bërë kështu një pushim tre javësh dhe më pas në stërvitje. Ka shumë ‘nëse’ në këtë Botëror, sinqerisht nuk po mendoj tani për të”.