Kryeministri Rama ka deklaruar se qeveria ka vendosur të investojë në në parqet me energji diellore, prandaj po futemi dhe në energjinë e erës, prandaj po investojmë edhe për termocentralin e famshëm dhe famëkeq në Vlorë.

“Dje pashë kryetaren e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen që fliste për kursime energjie, si? Do ta kursejmë, po ta kursejmë do ta kemi po nuk e kursyem nuk do ta kemi dhe për ta pasur duhet ta paguajmë sa frëngu pulën sepse kjo është një balancë. Ne duhet ta importojmë një pjesë të energjisë dhe sa më pak shi të bjerë këtu aq më shumë duhet të importojmë. Ne edhe sikur ti kemi hidrocentralet plot, ne përmbushim vetëm 75% të nevojave, ai 25% akoma duhet importuar, prandaj po investojmë në parqet me energji diellore, prandaj po futemi dhe në energjinë e erës, prandaj po investojmë edhe për termocentralin e famshëm dhe famëkeq në Vlorë që në fund do vihet në funksion të ekonomisë shqiptare dhe të sistemit tonë të përgjithshëm energjetik duke u bërë baza e një zhvillimi të ri për gazin e lëngshëm që do të marrim në Shqipëri. E do të bëhemi kështu një pikë referimi dhe në rajon për eksporte, por të gjitha këto duan dhe kohën e tyre dhe kjo krizë erdhi pa na pyetur. Nuk e sollëm ne as luftën, as inflacionin e luftës, as rritjen e çmimeve, por nga ana tjetër ne do bëjmë çmos që dhe inflacionin e luftës dhe rritjen e çmimeve ta përballojmë më lehtë sëbashku duke vendosur më shumë financa në dispozicion të njerëzve të këtij vendi,” u shpreh Rama.