Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se është i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Kur të na thërrasin jemi të gatshëm që të zhvillojmë takimin e radhës, por në ndërkohë duhet të vijmë në arat që punohen, jeta vazhdon”, deklaroi Kurti.
Ai tregoi se në takim e sotëm që pati me të deleguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçaç, kanë biseduar për zbatimin e marrëveshje për energjinë.
“Në çështjet aktuale kryesorja për neve është zbatimi i marrëveshjes së energjisë, në mënyrë që edhe në veri të Ibrit të fillojë inkasimi për energjinë e konsumuar, sepse nuk ka kurrfarë kuptimi që ta shfrytëzosh energjinë elektrike nga burimet e Kosovës e të mos paguash asgjë”, theksoi Kurti.
“Prandaj tek çështjet aktuale fokusi ynë është zbatimi i marrëveshjes për energjinë që edhe atje të paguhet energjia elektrike”.
Kur është pyetur për Raportin e Progresit për Kosovën, kryeqeveritari ka theksuar sa i përket rajonit Ballkanit “jemi shumë mirë, më mirë se shumica”.
Ndryshe, pas takimit me Lajçak-un, Kurti ka udhëtuar për në Gjilan, në fshatin Miresh, ku ka marrë pjesë në vendosjen e gur themelit të një çerdheje.
Përpos vendosjes së gur themelit, Kurti ka vizituar edhe bujkun Osman Osmani për të parë nga afër se ai po e lëvron tokën.