Partia Socialiste dhe grupi i Enkelejd Alibeajt kanë bashkuar votat për të miratuar ndryshimet ligjore që do të mundësojnë hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit. Këto ndryshime ligjore kaluan me 94 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë kundër.
Seanca parlamentare maratonë ka zgjatur për më shumë se 13 orë. Pavarësisht se në parim këto ndryshime kanë pasur dakordësi mes dy palëve, nuk kanë munguar debatet.
Sipas këtij ndryshimi, do të mundësohet vendosja në sitë e të gjithë politikanëve që kanë kaluar verifikimin nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtorë të ish sigurimit të shtetit, si dhe propozimin e demokratëve për ndryshim në ligjin për “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror”, që do të mundësonte hapjen e të gjitha dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit.
Kjo nismë e PS-së dhe PD-së erdhi si nevojë pasi Autoriteti i Dosjeve i dërgoi informacion Kuvendit se një politikan i nivelit të lartë ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit duke ndihmuar një qytetar që kishte tentuar arratisjen nga vendi.
Sipas pretendimeve të ngritura, bëhet fjalë për një politikan me iniciale I.M., për të cilin, mazhoranca ka akuzuar ish-Presidentin Ilir Meta.
Kjo solli reagimin e kryetarit të Partisë së Lirisë, i cili i mohoi të gjitha akuzat, madje e ndoqi këtë çështje edhe në rrugë ligjore duke paditur Autoritetin e Dosjeve për shpifje dhe falsifikim dokumentesh.