Sezoni turistik veror solli fluks vizitorësh edhe në Kalanë e Rozafës në Shkodër, duke tejkaluar numrat e vitit të kaluar.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se “gjatë periudhës maj-shtator shifra e vizitorëve arriti në 60 597, 82% më shumë vizitorë se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2021 ose 33 302 vizitorë”.
“Gjatë këtij 5-mujori turistik është arritur përmirësimi me 60% i infrastrukturës në krahasim me vitin 2021, 8 % më shumë vizitorë të shërbyer në ditë krahasimisht me vitin 2021, 50 vizitorë të shërbyer në orë, 82% më shumë vizitorë se në vitin 2021 dhe 52% më shumë të ardhura se në vitin 2021”, theksoi DRTK Shkodër.
Sipas DRTK Shkodër, rezultatet janë arritur falë mirëmenaxhimit dhe përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës së Kalasë Rozafa, rinovimit të sinjalistikës së brendshme të tabelave dhe paneleve informuese të sitit arkeologjik, shtimi dhe vendosja e koshave të rinj të mbeturinave, riparimi i sistemit të ndriçimit të rrugës së kalldrëmtë për në kala dhe rikthimi i plotë i ndriçimit në muret perimetral të kalasë, riparimi dhe lyerja e kangjellave dhe pastrim vegjetacioni gjatë gjithë ditëve na rrisin përgjegjësinë për mbajtjen e këtij ritmi dhe vijimin me sfidat e tjera në menaxhimin e këtij parku arkeologjik, më i vizituari në të gjithë Shqipërinë.
Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare.