Policia la të lirë pas shoqërimit Endrit Doklen, emri i të cilit u ekspozua së fundmi nga dëshmia e Nuredin Dumanit, për një konflikt me të zhdukurin Ervis Martinaj.
39-vjeçari u shoqërua pasi lëvizte në një automjet së bashku me një të kërkuar për posedim armësh pa leje. Pasditen e së shtunës Endrit Dokle lëvizte me një Mercedes-Benz S-class të blinduar me targa bullgare në bulevardin “ Migjeni ”, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijën e mitur.
Mjeti luksoz drejtohej nga Gentian Reçi ndërsa pasagjer në vendin e parë ishte Fatjon Murati, i shpallur në kërkim nga policia prej muajit korrik.
Ai rezultonte bashkëpunëtor i shtetasit Kristjan Gjini i arrestuar gjatë operacionit “Ruger” ku në dy ambiente të marra me qira në një kompleks rezidencial, u zbuluan armë të ndyshme, silenciator, maska dhe radio policie. Në këtë operacion u ndalua edhe një vajzë.
Pas kontrollit, bashkëshortja e Dokles bashkë me fëmijën janë larguar me një taksi, ndërsa ai bashkë me Gentian Reçin u shoqëruan në drejtorinë e policisë, ku pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë.
Indrit Dokle u lirua nga burgimi i përjetshëm në janar të vitit 2020 nga gjyqtarja e Krujës Enkeleda Hoxha dhe sipas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumanit, Ervis Martinaj ishte gati të paguante 500 mijë euro për ta ekzekutuar atë.