Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përmes programeve të mbështetjes së qeverisë, fermerët shqiptarë po kultivojnë çdo vit e më shumë kultura të shumta bujqësore, duke ngritur edhe fabrika për përpunimin e tyre.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama solli pamjet e një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit të ndërtuar nga një emigrat i kthyer nga Greqia.

“Familja e Pëllumb Jollës nga Dumreja pas vitesh të gjata emigrimi në Greqi vendosi të kthehej në vendlindje e të investonte në hapjen e një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit, një kulturë mjaft e përhapur në zonën e Dumresë. Fabrika furnizohet nga një rrjet i gjerë fermerësh duke siguruar certifikimin, standardin, cilësinë dhe paketimin e duhur për të konkurruar në tregun vendas dhe atë të huaj”, tha ai.

Me një fond total prej 4.9 miliardë lekë nga buxheti i qeverisë shqiptare, Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi këtë vit, është më e madhja në financimet direkte për fermerët aplikantë.