Milan fitoi sot 4-1 me Monza për javën e 11 në Serie A. Dopieta e Diaz në minutat 16 dhe 41 i dha hov kuqezinjve, që do shënonin edhe në pjesën e dytë me Origin dhe Leao. Goli i F. Ranocchia te miqtë në fund rezultoi sa për statistikë.

Ky ishte një duel i veçantë, pasi pronar te Monza është ish-presidenti i Milan, Silvio Berlusconi dhe drejtor Adriano Galliani, dy nga figurat që e kanë bërë Milanin të trofeshëm në Europë.

Kjo është fitorja e katërt radhazi për kuqezinjtë, që barazojnë përkohësisht Napolin në krye të Serie A me 26 pikë. Napoletanët luajnë nesër me Romën, teksa kërkojnë të mbajnë distancën me skuadrën e Piolit.

Nga ana tjetër Monza merr humbjen e dytë radhazi dhe me 10 pikë mban vendin e 14 në klasifikim. Ndeshjen e ardhshme Milan luan me Torinon në transfertë dhe Monza me Bologna në shtëpi.