Ish-Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra deklaron se një burrë nuk mund të jetë i martuar me disa gra njëkohësisht pasi është ‘ekstreme’ dhe se kjo duhet të rregullohet me ligj. Duke folur për “Euronews Albanian”, Gurra pranoi se ka pasur disa raste në xhami të martesës së një burri me disa gra. “Në aspektin ligjor, ata janë në shkelje të ligjit. Nuk duhet të ndodhë në atë mënyrë që ndodh. Absolutisht. Ka pasur disa raste në xhami. Ka raste që ka edhe braktisje të këtij lloji, ndërkohë që nuk ka vënë në dijeni ish-bashkëshorten. Poligamia e lejuar sipas tekave personale të individëve është ekstrem”, theksoi ai.

Lidhur me martesat poligame, dhe rastin e trajtuar në media për një grua që deklaron se ka gjetur gra të tjera vetë për burrin e saj, Gurra tha se “kjo është një agjendë e mirëfilltë. Jo ne por myslimanët kanë shekuj që e kanë problematikë prej tyre. Kjo është një agjendë e mirëfilltë e mbështetur nga struktura shtetërore dhe lloji i saj nuk e përfaqëson dot islamin. Agjendë e republikës së Iranit”. Gurra tha se pas viteve ‘90 është rritur numri i burrave që kerkojnë të kenë më shumë se një grua.

“Ky është një realitet i pas viteve 90 në Shqipëri. Jo që nuk ka pasur raste të cilët preferojnë të kurorëzohen me një bashkëshorte të dytë. Që në aspektin ligjor kjo është e patolerueshme, e papranueshme, vetëm duke u mbështetur sipas tyre në aspektin fetar.
Se shoqëria shqiptare nuk është në një aspekt të tillë që të mund të përfitojë nga lejimi. Krahasuar me para 67-ës, është rritur numri. Më së tepërmi është një dukuri e përcjellë nga traditat kryesisht të vendeve arabe”, tha ai.

Pyetje: Në xhami mund të martohen?

Gurra: Nuk duhet të ndodhë në atë mënyrë që ndodh.

Pyetje: Duhet të njihen edhe ligjërisht?

Gurra: Absolutisht

Pyetje: Po ama mundet që të martohen?

Gurra: Ka patur raste, mua më vjen shumë rëndë por ndaj po themi disa të vërteta që ka dhe braktisje të këtij lloj, pasi ka marrë një partnere në kohë që nuk ka vënë në dijeni ish bashkëshorten, Kjo është një maskaradë që nuk e përfaqëson fenë tonë. Poligamia e lejuar sipas tekave personale të individëve është ekstrem.