Pas përfundimit të investimeve në qendër të qytetit, Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit kanë nisur punën për shtrimin e mbi 70 mijë metra katror në lagjet e qytetit. Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i shoqëruar dhe nga kryebashkiaku Gledian Llatja inspektuan punimet për transformimin e lagjes “Haxhias” në Elbasan.

“Ajo çfarë po bën Bashkia e Elbasanit është një transformim tërësor. Jo me shpenzime luksi, por shumë të nevojshme për njerëzit këtu pasi kur binte shi i mbyste balta dhe infrastruktura nuk qe e duhura. Janë një sërë programesh të riasfaltimit që po i bën Bashkia e Elbasanit edhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Nuk janë pak 70 mijë metër katror që do të hidhen në pak muaj në Bashkinë e Elbasanit për të prekur shumë pika që kanë qenë disi jashtë vëmendjes për shkak se investimet kryesore kanë qenë në qendër”, theksoi Damian Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve vlerësoi punën dhe angazhimin e Bashkisë së Elbasanit për përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. “Investimi është shumë i mirë për të gjithë zonën. Është një investim që prek sipërfaqe të mëdha dhe adreson shumë lagje dhe është ajo që kanë pritur qytetarët. Unë dua ta përgëzoj Bashkinë për punën e mirë që shumë shpejt bëri projektet, aplikoi për fondet, gjeti mbështetjen e duhur dhe tashmë kryetari po i rri mbi kokë zbatimit të këtij programi. Ky është Elbasani që duam të gjithë. Këto janë prova që përditë pak nga pak jeta e qytetarëve në infrastrukturë do përmirësohet”, tha Gjiknuri.

Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të bërë gjithçka që është e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. “Unë e di që qytetarët kanë edhe probleme të tjera. Qeveria po bën gjithçka. Përsa i përket Bashkisë për ta bërë jetën më të mirë me këto investime, është një punë që ecën në drejtimin e duhur. Bashkia meriton një vlerësim në këtë drejtim. Shpresoj shumë shpejt që i gjithë investimi të mbarojë. Shumica e njerëzve e mbështesin dhe janë të kënaqur me këtë punë që po bëjmë. Kështu që i urojmë suksese”, deklaroi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Gledian Llatja i shprehu mirënjohjen qytetarëve të Elbasanit për mbështetjen dhe bashkëpunimin për jetëzimin e këtij projekti. “Ky është një bllok i madh pallatesh ku përkthimi i investimit në numër popullsie ka një raport shumë të drejtë. Janë 5000 banorë që preken nga ky investim në mënyrë të drejtpërdrejtë sepse i përmirësohet mënyra e jetesës. Ky investim ka gjetur mbështetjen e të gjithë banorëve”, tha Llatja.