Ng Mero Baze/ Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është përfshirë tanimë në një debat ndërkombëtar rreth pavërtetësisë së raportit Dick Martyn i cili shërbeu si bazë për ngritjen e Gjykatës speciale të Kosovës, pas pretendimeve se krerët e UÇK ishin të përfshirë në një trafik organesh të robërve serb të luftës dhe krime të tjera të pagjykuara ndaj tyre.
Debati natyrisht është një peshë e rënd për këllqet e Shqipërisë përballë institucioneve ndërkombëtare, por duket se Edi Rama po përdor dy rrethana të reja që mund ta favorizojnë atë.
E para dhe më e rëndësishme është se e gjithë ndjeshmëria ndërkombëtare që krijoi Raporti i Dick Marty-nit, buronte nga akuza për trafik organesh dhe legjenda e “Shtëpisë së Verdhë” në një fshat të Burrelit, për të cilën u hetua dhe nuk u gjet asnjë fakt.
Prokuroria speciale në Hagë e cila ka marrë të pandehur së paku katër drejtuesit kryesorë të UÇK, ka hequr dorë tanimë nga kjo akuzë dhe nuk e ka përfshirë atë në akuzat ndaj ish komandantëve të UÇK, çka tregon mungesën thelbësore të seriozitetit të një raporti. Trafiku i organeve u përdor si “beze e kuqe” për të krijuar ndjeshmëri ndërkombëtare për ngritjen e Gjykatës dhe vet promovuesit e saj, tanimë janë tërhequr nga kjo akuzë. Krerët e UÇK kanë dy vite të arrestuar në Hagë dhe ende ndaj tyre nuk ka filluar gjykimi, pikërisht se pasi nuk arritën të ngrenë dot akuzë për trafikun e organeve, u përfshinë një kërkim të ri faktesh për të justifikuar arrestimin e tyre. Shumica e fakteve janë indice publike nga shkrime nëpër gazeta apo rrjetet sociale, apo dëshmi të ish komandantëve të policisë serbe në Kosovë që po vet janë të akuzuar për krime lufte.
Raportit të Dick Marty-nit, i ka rënë kolona themelore ku është mbështetur nga vet prokuroria speciale e Hagës, dhe beteja e Edi Ramës për ta zhvlerësuar atë politikisht, është legjitime. Po ashtu është legjitime që këtë ta bëj Shqipëria, jo vetëm se ajo ka detyrime kombëtare për Kosovën, por se akuza ishte e vendosur në territor të Shqipërisë, dhe implikonte dhe Shqipërinë në këtë histori.
Edhe Sali Berisha që ka votuar pro këtij raporti më 2011 në Strasburg, sot justifikohet se duhej lejuar hetimi që të binin akuzat, edhe pse sot është sërish në anën e të vetmëve akuzues për këtë çështje, ish policisë serbe.
Në këtë aspekt të gjithë ata që tentojnë ta klasifikojnë si populizëm fjalimin e ashpër të Edi Ramës, duhet të shikojnë zanafillën e këtij raporti i cili nis me implikimin e Shqipërisë dhe më tej u përdor si një arsyetim për të ndëshkuar lidershipin politik të UÇK.
Po ashtu përpjekjet e disa qarqeve politike në Kosovë, kundërshtarë politikë të ish krerëve të UCK, për të zhvlerësuar rëndësinë e kësaj akuze, dhe për të justifikuar indiferentizmin e tyre ndaj betejës së Shqipërisë, janë tërësisht qëndrime politike për interesa elektrale në Kosovë .
Qëndrimi i ashpër i Edi Ramës natyrisht që është një problem diplomatik për Shqipërinë, por ai i ka të gjitha arsyet juridike dhe politike ta bëj atë, si kryeministri i një vendi i cili është akuzuar pa fakte për krime të pa verifikuara nga vet prokuroria speciale. Dhe kur Shqipëria pranon ta marrë përsipër këtë barrë në këtë betejë diplomatike ndërkombëtare, disa politikanë në Kosovë nuk kanë pse sillen sikur të jenë rumunë apo sllovakë, që nuk u intereson çështja e Kosovës.
Rrethana e dytë e cila Edi Rama po përpiqet ta përdor me shumë vështirësi, është situata gjeopolitike rreth konfliktit Rusi Ukrainë, e cila kërkon një lloj kompaktësimi të perëndimit ndaj Rusisë, e cila ka qenë avokatja e gjenocidit serb në Kosovë. Edhe pse është shumë e vështirë të bësh aleat gjithë vendet antiruse në këtë kauzë, është e rëndësishme ti bësh ato të ndjehen solidare me shtetin e ri të Kosovës, ta njohin atë dhe ta konsiderojnë më tutje pjesë të bllokut perëndimor që është në një luftë të përbashkët me rrezikun e autorëve të një gjenocidi të ri në botë.
Edhe pse fjalimi i Edi Ramës për shkak të talentit të tij tingëllon shumë populist, ai në fakt është një qëndrim që ka të bëj me përgjegjësinë e Shqipërisë të përbaltur pa të drejt nga një raport, i cili u bë zanafilla e një procesi që po kërkon “gjilpërën në kashtë” për të justifikuar buxhetin e një Gjykate speciale, e cila duket se ka filluar të mbledh fakte pas arrestimit të tyre dhe nuk ka gjetur asgjë të bazuar në raportin e Dick Marty-n.
Edi Rama nuk i ka bërë ekspertizë politike atij raporti. Ai po flet pasi ka folur prokuroria speciale dhe ajo nuk e ka konsideruar fare akuzën për trafik organesh e cila sensibilizoi perëndimin për ngritjen e Gjykatës. Pra ai thjesht po kërkon të certifikohet një përfundim jurdik, i arritur nga vet prokurorët e Gjykatës speciale, të cilët nuk “ja shpëtuan dot faqen” Dick Marty-nit, dhe pse disa politikanë të mërzitur nga kjo gjë në Kosovë, ngulin këmbë që “Edi Rama po ja shpëton faqes Serbisë”.