Dhjetëra operacione policore janë finalizuar në çdo qark të vendit, nga ku u sekuestrua heroinë, kokainë, kanabis, armë zjarri, armë të ftohta, mallra të kontrabanduara, shuma parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Policia e Shtetit përmes një deklarate për mediet informoi proceduar 490 shtetas, nga këta: 145 janë arrestuar, 319 janë proceduar penalisht dhe 26 janë shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, janë lokalizuar dhe kapur 15 persona në kërkim, nga të cilët 13 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët britanikë organizuan operacionin “pengur”, ku u lirua një 30-vjeçar shqiptar që ishte marrë peng dhe u vunë në pranga 7 shtetas me rekorde kriminale, të cilët kërkonin 400 mijë paund për lirimin e tij.

Në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe me homologët italianë janë zhvilluar operacionet “Torino” dhe “Koordinatat”, për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për trafikim të lëndëve narkotike.

Operacioni “porositësi”, i zhvilluar nga DVP Durrës, zbardhi një seri ngjarjesh të rënda kriminale, të ndodhura më parë. U arrestuan në flagrancë 14 shtetas dhe u shpallën në kërkim 5 shtetas të tjerë, të përfshirë në këto ngjarje, së bashku me 2 shtetas të tjerë të arrestuar më parë.

Operacioni “parandalimi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 5, u finalizua me vënien në pranga të 2 shtetasve që kishin planifikuar vjedhjen me armë në një banesë. U sekuestrua 1 armë zjarri dhe municion luftarak.

Gjatë një jave janë 10 operacione të finalizuara në fushën e armëmbajtjes pa leje, ku u sekuestruan 12 armë zjarri, 4 kg tritol, municion luftarak dhe fitila zjarrpërcjellës, të sekuestruara nga Policia. 15 shtetas u vunë në pranga.

Për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve janë finalizuar 9 operacione, u vunë në pranga 21 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Si rezultat i këtyre operacioneve janë sekuestruar rreth 113 kg kanabis, 0.5 kg heroinë, doza kokaine, 200 bimë kanabis në proces tharjeje, si dhe janë asgjësuar qindra bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve janë finalizuar 3 operacione. Gjatë operacionit “tentativa” u arrestua në flagrancë një shtetas që tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë që të mos kryenin veprime për djalin e tij që transportonte emigrantë të paligjshëm.
Janë finalizuar 3 operacione të finalizuara dhe goditje të njëpasnjëshme për goditjen e kontrabandës së mallrave. Janë sekuestruar sasi nafte, medikamente mjekësore, mallra dhe produkte të ndryshme ushqimore, të kontrabanduara, si dhe shuma të konsiderueshme parash.

Në kuadër të operacioneve “same” dhe “serial” janë zbardhur disa raste të vjedhjeve, në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. 3 autorë të dyshuar u vunë në pranga.

Është finalizuar operacioni “fasada”, për vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuri me vlerë rreth 3.5 milionë euro, që dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një shtetasi.

Për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit është finalizuar operacioni “tabs”, nga DVP Vlorë. U vunë në pranga 2 shtetas dhe u sekuestruan 6 komjutera që përdoreshin për lotari të palejuara, në një lokal.

Janë evidentuar dhe goditur 26 raste të krimeve mjedisore dhe 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 24 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 33 raste.

Policia Rrugore ka monitoruar në mënyrë të pandërprerë qarkullimin rrugor në të gjitha akset e vendit, nëpërmjet mjeteve inteligjente, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Si rezultat i monitorimeve, janë pezulluar në total 763 leje drejtimi, nga të cilat: 642 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 87 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 34 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Si rezultat i përdorimit të alkool-testuesve dhe kontrolleve me përzgjedhje, janë arrestuar 91 drejtues mjetesh, nga këta: 43 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 48 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 2 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Kufitare ka ushtruar kontrolle intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Në bashkëpunim me DVP-të përkatëse, janë goditur 9 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë proceduar 4 shtetas, për veprën penale “kontrabanda me mallra të tjera”, 2 shtetas për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” dhe 1 shtetas për “korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia e Shtetit thotë se do të intensifikojë kontrollet “blic”, në çdo qark të vendit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, si dhe goditjen e kontrabandës, krimeve mjedisore dhe çdo paligjshmërie tjetër.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë të jenë prezente pranë shkollave dhe të bashkëpunojnë me oficerët e sigurisë në shkolla, stafet pedagogjike dhe bordet e prindërve, për të trajtuar çdo problematikë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit.