Në Konferencën e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, po prezanton projekt buxhetin 2023. Fillimisht mbledhja pati debate pasi deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka thënë se qeveria nuk ka sjellë paketën fiskale. “Po nuk e kemi Paketën Fiskale, ku është Paketa Fiskale? Si mundet qeveria të votojë projekt buxhetin kur s’ka paketë fiskale. Si do ndikojë ajo te buxheti dhe si është ndërtuar buxheti pa Paketë Fiskale?”, tha Tabaku.

Tabaku kërkoi që seanca të mos zhvillohej pasi mungon paketa fiskale, ndërsa mazhoranca vendosi vijimin e punës, pasi edhe paketa do prezantohet në vijim dhe votimi i buxhetit dhe paketës fiskale do bëhen bashkë. “Lufta ka pasur ndikim të madh në ndërtimin e buxhetit. Në prezantimin e buxhetit do ju sqarohet se si do implikojë paketa fiskale buxhetin. Të dyja do diskutohen bashkërisht. Paketa do miratohet të mërkurën e ardhshme dhe do diskutohen bashkërisht”, tha ministrja Ibrahimaj.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se prevalon ligji i buxhetit, ka afat ligji i buxhetit, jo Paketa Fiskale. “Kështu qeveria ka respektuar ligjin dhe fakti që buxheti është bërë mbi bazën e disa planifikimeve, pasi buxheti është shumatore e të ardhurave dhe shpenzimeve”, tha Balla. Më pas ministrja i Financave vijoi me prezantimin e projektbuxhetit. Ajo tha se vendi ka përballuar pozitivisht pasojat e luftës në Ukrainë dhe se rritja ekonomike është mbi parashikimet.