Progres-raporti i Bashkimit Europian, për Shqipërinë, për vitin 2022, që është prezantuar nga Komisionari për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, vlerëson pozitive faktin se Shqipëria ka krijuar një platformë gjithëpërfshirëse për shërbimet dixhitale, se ka realizuar në një kohë shumë të shpejtë, shërbimet 100% online, që hyri në fuqi më 1 maj 2022, me qëllimin për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe reduktimin e korrupsionit.

Gjatë periudhës raportuese, 95% e aplikimeve për 1217 shërbime publike kryhen online, me 6,295,567 dokumente të vulosura elektronikisht në vitin 2021 nga 2,537,042 përdorues të regjistruar (2 336 510 qytetarë dhe 200 532 biznese) në portalin e-Albania. Kjo shkon në 13 771 931 përdorime të shërbimeve elektronike në vitin 2021.

Raporti vlerëson gjithashtu se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në fushën e transformimit dixhital dhe medias, se ka bërë përparim në zbatimin e rekomandimeve të raportit të mëparshëm. Plani i veprimit i rishikuar 2020–2022 i Axhendës Dixhitale vazhdoi të zbatohej dhe disa nga aktivitetet e përfunduara përfshinin dixhitalizimin e arkivave për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, Sistemin Kombëtar të Shërbimit të Punësimit “Dua Punë”, platforma elektronike e-Transport, dixhitalizimi i shërbimeve doganore, sistemi i e-Faturës dhe Sistemi Kombëtar i Informacionit Pyjor.

Progres i mëtejshëm është arritur me miratimin e Axhendës Dixhitale 2022–2026 dhe me shërbimet e qeverisjes elektronike. Ligji për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara lidhur edhe me biznesin online është miratuar në vitin 2021, duke përafruar plotësisht legjislacionin kombëtar me Rregulloren eIDAS të BE-së.

Në lidhje me sigurinë kibernetike raporti thekson se Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë disa hapa të rinj për të harmonizuar më tej Ligjin për Sigurinë Kibernetike me Direktivën e BE-së për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, e se Shqipëria ka krijuar një listë të infrastrukturave kritike të informacionit dhe legjislacionin e nevojshëm zbatues. Strategjia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2020–2025 dhe Plani i saj i Veprimit janë në fuqi që nga viti 2020.