Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në faturën e energjisë të çdo familjeje dhe biznesi të vogël, 20% e paguajnë konsumatorët dhe 80% e paguan shteti.

Në fjalën e tij në takimin për prezantimin e arritjeve dhe projekteve në bashkinë Peshkopi, Rama u shpreh se, “ne po bëjmë një sforco të jashtëzakonshme që të mos lejojmë që çmimi i rritur i energjisë të prekë familjet dhe të prekë biznesin e vogël”.

Sepse, nënvizoi Rama, “nëse kjo do të ndodhte do të sillte menjëherë një rritje të çmimeve të të gjitha produkteve në çdo lloj dyqani ku njerëzit shkojnë të blejnë, që po t’i rritej fatura direkt do ta reflektonte në çmime”.

“Atëherë”, shtoi Rama, “do të kishim një inflacion njësoj si gjithë vendet e tjera të rajonit”.

“Sot ne kemi inflacionin më të ulët në rajon pikërisht se i kemi vënë një mburojë financiare çdo familjeje dhe çdo biznesi të vogël dhe duam me çdo kusht që ta mbajmë këtë mburojë financiare”, tha Rama.

Rama u shpreh se, “kjo do të thotë që në faturën e energjisë të çdo familjeje shqiptare, 20% e paguajnë konsumatorët dhe 80% e paguan shteti. E njëjta gjë për biznesin e vogël”.