Brenda këtij 10-vjeçari, Shqipëria synon të jetë lider në rajon në fushën e energjisë elektrike, sa i përket prodhimit dhe eksportit.
Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me qytetarë të Elbasanit. Duke folur për krizën energjetike që ka përfshirë Europën, ku bën pjesë dhe Shqipëria, Rama u shpreh se qeveria do të vazhdojë të mbajë të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe bizneset e vogla.
Nga ana tjetër, kryeministri tregoi se synimi i qeverisë është që brenda kësaj dekade Shqipëria do të prodhojë të gjithë energjinë elektrike në vend dhe do ta eksportojë neto.
“Ne do mundohemi që çmimin e energjisë ta mbajmë deri në fund të paprekur për familjet dhe bizneset e vogla por nga ana tjetër do vazhdojmë të përpiqemi që ta përcjellim sa më shumë mesazhin që kjo nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga ju, nga çdokush që ndez dhe fik dritat në shtëpi. Sa më shumë ta kursejmë energjinë të cilën e shpenzojmë në një pjesë të saj edhe në mënyrë të panevojshme, aq më shumë jemi të sigurt që jo vetëm nuk do na mungojë, por edhe që nuk do ta paguajmë më shtrenjtë. Faktori tjetër është shiu. Kemi hyrë në një fazë ku sa hapim sytë presim të shikojmë re dhe lumturohemi kur ka shi, ndërkohë që mërzitemi kur shohim që qielli është i pastër. Shqipëria nuk i mbulon nevojat e veta me kapacitetet e veta energjetike. Në rast se të gjitha hidrocentralet tona janë plot, ne mbulojmë 75% të nevojave.
Ne po përpiqemi dhe jemi në rrugë të mbarë për të ndërtuar burime të tjera, qoftë të energjisë diellore që jemi duke ndërtuar dy parqe të mëdha, qoftë edhe të energjisë me erë. Por jemi shumë përpara edhe me projektin e termocentralit të Vlorës me gazin e lëngshëm që do na shërbejë shumë për fazën tjetër të zhvillimit tonë. Është e sigurt që ne brenda kësaj dekade do të kemi sovranitet të plotë energjetik, do ta prodhojmë të gjithë energjinë në vend dhe do jemi eksportues neto. Por deri atëherë duhet të përfundojmë punët që kemi nisur.
Edhe fasha 800 kilovat që ne e morëm si masë për ta futur që në Tetor, nuk u fut për arsye se ne nuk jemi këtu që të vendosim masa sa të mundemi dhe të mbledhim të ardhura sa të mundemi, por jemi që sa herë krijohet një mundësi e vogël për të bërë më shumë për njerëzit, ta bëjmë dhe ta shfrytëzojmë. Jemi duke e ndjekur me vëmendje çdo ditë, reshjet nga një anë dhe kursim nga ana tjetër për të parë se çdo bëjmë me muajin Nëntor me fashën”, u shpreh kryeministri Edi Rama.