Inxhinieri Bardhyl Reso i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, tha se SPAK duhet të ndjekë penalisht shitjen e katër hidrocentraleveve në Shqipëri, te KURUM. Reso e vuri theksin në mënyrë të veçantë te çmimi i shitjes së këtyre hidrocentraleve, duke e cilësuar qesharake.

“Duhet të ndiqet penalisht nga SPAK problemi i shitjes së hidrocentraleve të lumit të Matit dhe të Bistricës drejt kompanisë turke KURUM. Nuk e di në cilin ligj është bazuar kontrata e shitjes së veprave energjetike në Shqipëri, 1 kompanie të huaj. Burimet energjetike janë vepra të sigurisë kombëtare. Dhe për ato çmime që janë shitur e për çfarë arsye u shitën. Tenderi bëhet kur ka një arsye por në këtë rast unë nuk e kuptoj cila ishte arsyeja. U bë sepse po vinin votimet dhe duheshin para për fushatë elektorale. S’e kuptoj pse duhet të shiten këto vepra.

Sidomos kur flasim për një vepër të sapo rehabilituar si hidrocentrali i Bistricës, një dhuratë kjo e shtetit gjerman. Madje çmimi që e kemi shitur është komplet qesharak. Bëhet fjalë për çmimin që KURUM e a fituar vetëm me shitjen e energjisë për një vit. Ai ka shlyer vetëm një vit çmimin që e ka blerë, dhe gjithë pjesën tjetër pastaj e ka fitim. Një humbje e jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare. E megjithatë asnjë nuk flet. SPAK gjithashtu duhet të merret edhe me çështjen e termocentralit të Vlorës”, u shpreh Reso në Dritare TV.