Në shkollën e sapo rindërtuar, “Sami Frashëri”, u përurua Laboratori i parë i Inteligjencës Artificiale, projekt i cili do të realizohet edhe në shkolla të tjera në kryeqytet, dhe në disa shkolla në qytete të tjera të vendit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se dikur gjuhët e huaja si gjermanishtja dhe anglishtja, ishin gjuhët e mundësive që të garantonin punësimin. Ndërsa sot vendin e guhëve të huaja e kanë gjuhët e programeve kompjuterike, pasi e ardhja është teknologjia.
“Për mua është krenari shumë e veçantë që, këtë projekt, e fillojmë te “Sami Frashëri”. Kur unë kam bërë gjimnazin në godinën e vjetër, në vitet 1994-1998, duhet të bëje çmos që të shkoje te klasa e gjermanishtes. Pra, mësoje anglishten, kurse gjermanishtja ishte kursi i dytë. Ishte fat i veçantë të ishe pjesë e atyre 20 vetave, që të mësoje gjermanisht. Ishte një biletë për t’u integruar në një botë të civilizuar. Ndërkohë, për prindërit tanë, në kohën e komunizmit bileta ishte rusishtja. Ishte një mënyrë për të ecur përpara në atë sistem. Sot, nëse nuk di gjuhën e kodimit ‘Python’, nuk ke biletë për t’u ngjitur më lart në jetë. Qartazi, gjuhët e së sotmes nuk janë më gjermanishtja dhe anglishtja. Me gjithçka po ndodh, gjuhët që duhet të mësojë brezi juaj janë ‘Python’ dhe ‘Java’,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se projekti do të shtrihet edhe në shkolla të tjera në të gjithë vendin.
“Ne kemi 10 shkolla, 8 në Tiranë dhe 2 jashtë Tirane, por unë dhe ministrja do të sigurohemi që këtë shembull të mirë ta shtrijmë edhe në qytete të tjera, pasi unë besoj se e gjithë Shqipëria duhet të jetë një ‘start up nation’ – jam i sigurt është vetëm çështje kohe që edhe bashkitë e tjera ta ndjekin këtë shembull. E gjitha është në dorën tuaj, ndaj mezi pres të brohoras suksesin dhe arritjet tuaja”– tha ai