Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në samitin vjetor të vendeve të rajonit të mbajtur në Becic, Mal i Zi. Në këtë samit, pjesëmarrës ishin guvernatorët e bankave qendrore të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës, Sllovenisë, Kosovës e Kroacisë.
Samiti i këtij viti me temë “Politika monetare në një mjedis inflacioni”, trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonomitë e rajonit dhe sfidën aktuale me të cilën ato po përballen si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet botërore. Kjo goditje nuk ka kursyer asnjë ekonomi, jo vetëm në nivel evropian por dhe në nivel botëror. Paneli i guvernatorëve në të cilin Sejko ishte i ftuar të mbante një fjalë për të pranishmit, kishte në fokus diskutimet mbi politikat monetare të ndjekura nga bankat qendrore të vendeve të rajonit dhe orientimet e politikave ekonomike drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, si një parakusht për stabilitetin financiar të vendeve.
Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejko nënvizoi se pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme që kanë sjellë vitet e fundit, ekonomia shqiptare ka vijuar të zgjerohet me ritme të kënaqshme. Edhe këtë vit, ndonëse sfidat që shtrihen përpara do të jenë të konsiderueshme, pritshmëritë janë pozitive dhe rritja ekonomike e këtij viti parashikohet të luhatet rreth 4%, ndërsa vitet në vijim rritja pritet të ngadalësohet në 2-3%. Duke u rikthyer te qëndrimi i politikës monetare të vendeve të rajonit, Guvernatori theksoi se ajo ndikohet në një fare mënyre edhe nga qëndrimi që ndjekin bankat qendrore si Rezerva Federale dhe Banka Qendrore Evropiane.
Ashtu si të gjitha bankat qendrore në botë edhe vendet e rajonit tonë po përballen me sfidën e inflacionit të lartë. Ai u shpreh se bankat qendrore mund të ankorojnë në mënyrë efektive pritjet e inflacionit, duke komunikuar qartë vendimet e tyre, duke përdorur kuadër të besueshëm të politikës monetare dhe duke mbrojtur pavarësinë e tyre. Guvernatori Sejko theksoi se prioriteti i bankës qëndrore është ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar. Kjo përkthehet në mbajtjen në kontroll të inflacionit në mënyrë të qëndrueshme dhe në kohë, duke kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur koston për aktivitetin ekonomik dhe për bilancet e sektorit bankar. Arritja e kësaj kërkon një veprim delikat balancues midis objektivave të ndryshëm në një periudhë pasigurie.
Në vijim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve, ku në veçanti paraqiti interes çështja e kursit të këmbimit në vendin tonë dhe ecuria e monedhës vendase. Lidhur me këtë Guvernatori së pari theksoi se ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ndaj ai përcaktohet plotësisht nga kërkesa dhe oferta e tregut. Ai u shpreh se forcimi i monedhës vendase ka qenë deri tani i lidhur drejtpërdrejt me faktorë sezonalë, ku mund të veçohet ndikimi i turizmit, por dhe rritja e eksporteve në vend.
“Faktori kryesor i forcimit të monedhës vendase është turizmi, por edhe bilanci tregtar, eksportet janë rritur, si ato të mallrave ashtu edhe të shërbimeve. Këto flukse hyrëse të valutës së huaj, kryesisht në euro, kanë mbajtur kursin e këmbimit të mbiçmuar, në favor të lekut”, tha ai. Në përfundim, lidhur me kursin e këmbimit ai vuri theksin se forcimi i monedhës vendase nga këndvështrimi i presioneve inflacioniste ndikon pozitivisht në drejtim të normës së inflacionit. Sipas tij, një kurs i fortë këmbimi tregon që ekonomia shqiptare reagon pozitivisht ndaj inflacionit si dhe shërben si një faktor absorbues ndaj goditjeve të ndryshme.