Kongresmenët amerikanë Ritchie Torres, Robert Aderholt, Jim Himes dhe Lisa Mc.Clain kanë dorëzuar në kongresin amerikan rezolutën që dënon sulmet kibernerike të Iranit ndaj Shqipërisë. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka falënderuar kongresmenët, ndërsa shton se është thelbësore që Irani të japë llogari për veprimet e tij.

‘Mirënjohje për Kongresmenët Ritchie Torres Robert Aderholt, Jim Himes, Lisa Mc.Clain për dorëzimin e rezolutës që dënon sulmet kibernetike kundër Shqipërisë. Është thelbësore që Irani të japë llogari për veprimet e tij. Mirëpresim mbështetjen e Kongresit të SHBA-ve dhe përgëzojmë punën e Grupit që mbulon Shqipërinë.’- shkruan ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.

Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.

‘Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, deklaroi pak ditë më parë në një intervsitë ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë.

Projekt-rezoluta, inkurajon bashkërendimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për t’u siguruar që mekanizmat e saj për sigurinë kibernetike të jenë të afta për t’u mbrojtur kundër ndërhyrjeve dhe sulmeve të ardhshme të mundshme kibernetike. Përveç zotit Torres projekt-rezoluta ka si autorë tre bashkëkryetarët e tjerë të Grupit të Kongresit për Çështjet Shqiptare, ligjvënësi tjetër demokrat Jim Himes dhe republikanët Lisa McClain dhe Robert Aderholt.

Më 7 shtator, Shqipëria akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë , duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online. Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, për shkak të këtij sulmi. Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dënuan sulmin kibernetik ndaj aleatit të NATO-s dhe thanë se kishin arritur në përfundimin se pas tij qëndronte Irani.