Ditën e sotme do të mbahet në Pragë takimi i Komunitetit Politik, ku do të diskutohet për ekonominë, sigurinë dhe situatën energjetike. Mes 5 folësve do të jetë kryeministri Edi Rama, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensy, kryeministrja e Britanisë Liz Truss, kryeministri i Norvegjisë Gahr Store dhe kryeministri i Çekisë Petr Fiala. Gjatë ditës së sotme do të ketë takime bilaterale mes krerëve të vendeve të caktuara, sipas vullnetit të palëve.

Më parë, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se komunitetit do t’i parashtrohet një propozim konkret lidhur me situatën në Ukrainë, krizën e klimës dhe situatën energjetike. Në një intervistë për Politico, Rama dhe kryeministri i Holandës Mark Rutte thanë se do të bëjnë cdo gjë për të ndihmuar Ukrainën dhe theksoi se nevoja për një kundërpërgjigje europiane të fortë, të vazhdueshme e të bashkuar është sot më e nevojshme se kurrë.

“Kjo është arsyeja pse ne e përkrahim plotësisht propozimin e presidentit Emmanuel Macron për një Komunitet Politik Europian (KPE)”, tha Rama, i cili do të mbajë fjalën nga ora 13.30 -13.40. Gjithashtu tha se të gjithë kanë nevojë për një platformë ku mund të takohen e të diskutojnë, janë apo jo anëtarë të BE-së. Një tjetër pikë që do të diskutojnë është si të punojnë për një sistem energjetik europian me efekte zero në klimë.

Nuk do të mbetet jashtë vëmendjes siguria kibernetike për t’u mbrojtur nga sulmet apo kërcënimet si dhe investimi për të rinjtë duke thënë se duhet nxitur bashkëpunimi midis universiteteve europiane.