Miliarderi Elon Musk ka ndryshuar sërish mendjen rreth blerjes së Twitterit, dhe tani ka deklaruar se është i gatshëm të vazhdojë me procedurat për blerjen e kësaj platforme të medias sociale. Në një letër dërguar kësaj kompanie, Musk është pajtuar të paguajë çmimin që kishte ofruar disa muaj më herët, përpara se të tërhiqej nga marrëveshja. Ky ndryshim i qëndrimit vjen vetëm disa javë para se të dyja palët pritej të përballeshin në gjykatë për këtë çështje.

Twitter, që a ka paditur miliarderin Musk për të tentuar që ta detyrojë që të vazhdojë me marrëveshjen për blerjen e kompanisë, pritej që të fitonte procesin gjyqësor. Në letër, avokatët e Muskut, thanë se ai dëshiron që të vazhdojë me kompletimin e transaksionit, dhe ka kërkuar që t’i jepet fund betejës ligjore. Një zëdhënës i Twitter-it tha se kompania ka pranuar letrën dhe planifikon që të mbyllë marrëveshjen me çmimin prej 54.20 dollarë për aksion, aq sa kishte ofruar Musk në muajin prill. Ky vendim i Muskut bëri që aksionet e Twitter-it të rriteshin për më shumë se 20 për qind apo 52 dollarë për një aksion. Megjithatë, vlera e një aksioni është më e ulët sesa çmimi që Musk ka ofruar. Kur Musk fillimisht shpalosi dëshirën e tij për ta blerë Twitter-in për 44 miliardë dollarë, ai tha se dëshironte që të hiqte llogaritë e rreme dhe ta ruante platformën si një vend për lirinë e shprehjes.

Por, miliarderi u tërhoq nga blerja e kompanisë vetëm disa javë më vonë, duke thënë se kishte shqetësime se numri i llogarive të rreme në platformë ishte më i lartë sesa Twitter kishte deklaruar. Drejtuesit e Twitter-it kanë hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se Musk – personi më i pasur në botë me një pasuri prej më shumë se 220 miliardë dollarësh – dëshironte që të tërhiqej nga marrëveshja për blerjen e platformës për shkak të çmimit. Akuzat e ndërsjella u pasuan nga një rënie të madhe të vlerës së aksioneve të teknologjisë, përfshirë edhe të Tesla-s, kompanisë që prodhon makina elektrike dhe që është në pronësi të Elon Musk.