Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Fierit, me një axhendë të ngjeshur takimesh dhe inspektimesh.
“Një tjetër ditë e gjatë për mijëra falenderime të pamundura në drejtim të atyre që takova në kryeqytetin e socialistëve, ku puna e madhe e njerëzve flet vetë kudo, po ku edhe puna e Armandos dhe Bashkisë së Fierit meriton respektin e kujtdo”, shprehet Rama në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama i nisi takimet në Fier me fermerët në Kafaraj, ku deklaroi se eksportet e produkteve bujqësore deri në fund të vitit pritet të arrijnë në 500 milionë euro. Ai gjithashtu theksoi se në kuadër të skemës së naftës pa taksa fermerët kanë përfituar 8 milionë litra naftë falas.
Më pas kryeministri u ndal në Darzezë, Fier ku tha se Fieri ka aset të jashtëzakonshëm, ka një det që është një nga pjesët me potencialin më të madh të gjithë zonës së Adriatikut.
Gjithashtu ai vizitoi fermën e familjes së Olsi Hamatajt në Kafaraj, Fie, i cili pas 10 vitesh emigrimi në Greqi, vendosi të kthehej në fshatin e tij të lindjes, ku kultivon luleshtrydhe për tregun shqiptar dhe atë të huaj si Itali, Poloni, Çeki dhe vende të tjera të Ballkanit.
Ai inspektoi nga afër kantierin e Rilindjes së lumit Gjanicë, ku aktualisht janë mbyllur 3 km gjatësi e lumit nga qendra e qytetit deri te Ura e Sheqit. Pjesë e projektit do të jenë edhe dy shëtitore për këmbësorët.
Kryeministri u takua me vajza e djem të talentuar, por edhe të interesuar për mbarëvajtjen e gjërave jashtë shkollës.