Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues i qarkut, zhvilluan një bashkëbisedim me fermerë dhe blegtorë të zonës së Shirgjanit në Elbasan.
Gjiknuri theksoi se investimi i ri i qeverisë për unazën bujqësore ka dhënë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e prodhimit të kësaj zona. “Këtu nuk ka pasur as rrugë dhe me zor shihje një serë. Më bën përshtypje një investim i qeverisë, kjo unazë bujqësore e cila unë shpresoj që të vazhdojë dhe të lidhet me zonën e Cërrikut për të bërë një unazë të plotë, ka dhënë një impakt të jashtëzakonshëm përsa i përket rritjes së prodhimit. Unë këtë e kam mësuar nga ju”, tha ai.
Numri dy i socialistëve nënvizoi se si pasojë e vëmendjes që është treguar, është trefishuar dhe sipërfaqja e serave të mbjella. “Nga ky investim që është bërë dhe nga punët e mira që ka bërë bashkia për pjesën e kanalizimeve dhe furnizimit me ujë. Më thanë se është trefishuar sipërfaqja e mbjellë në sera. Kjo është një gjë shumë e mirë. Gjë që do të thotë se është rritur prodhimi për eksport për shkak të rritjes së prodhimit në këto sera. Ky investim krijoi një impakt të madh ekonomik”, shtoi ai.
Gjiknuri tha se Elbasani ka një avantazh të madh strategjik dhe që lidhet shumë mirë dhe me vizionin e këtij qyteti.
“Është afër portit është afër kryeqytetit. Duke qenë afër këtyre dy pikave shumë të rëndësishme të biznesit dhe ekonomisë, Elbasani i ka të gjitha mundësitë të përfitojë. Pra, një investim i tillë shikoni çfarë zinxhiri ekonomik krijoi. Këtë unë e kam ndjerë gjatë bashkëbisedimit me njerëzit këtu. Dua tju them se na keni mbështetje”, deklaroi Gjiknuri.