Eshtë firmosur në Tiranë themelimi i rrjetit të organeve shqyrtuese të prokurimit të Europës Juglindore. Në ceremoninë e organizuar nga Komisioni i Prokurimit Publik të Shqipërisë në Pallatin e Brigadave ishin të pranishëm përfaqësues të Republikës së Bosnies dhe Herzegovinës, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Sllovenisë dhe Turqisë.

Në fjalën e tij kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Jonaid Myzyri tha se është një nder dhe emocion i vecantë ta përjetohesh, përfaqësimin e Republikës e Shqipërisë, si shtet themelues dhe drejtues i të parit rrjet të organeve shqyrtuese të prokurimit të Europës Juglindore.

“Më shumë se një ëndërr e kahershme e shumë shteteve, sot të gjithë ne, po vendosim një gur themeli shumë të rëndësishëm të një misioni edhe më të madh se hapësira e një ëndrre: Të bashkuar, me një gjuhë të vetme komunikimi dhe të angazhuar plotësisht në luftën kundër korrupsionit”, tha Myzyri.

Sipas tij, Prokurimi Publik është një nga fushat kryesore të veprimtarisë shtetërore dhe një nga proceset më të rëndësishme në menaxhimin e financave publike. “Sikundër tregohet edhe nga shifrat dhe të dhënat e përpunuara në këtë kuadër, fondi buxhetor i shpenzuar për prokurime publike në vendet tona, shkon mesatarisht nga 7.5-20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnia dhe Herzegovina, Sllovenia, Rumania, Kroacia dhe Turqia, ndajnë jo vetëm marrëdhënie fqinjësisë të mirë, shkëmbim të rëndësishëm tregtar, ndërveprim të operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, vlera kulturore dhe historike, ngjashmëri në legjislacion për shumë prej nesh edhe sfidën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por edhe qëllimin e përbashkët: luftën kundër korrupsionit.

Sigurisht, jashtë sfidave nuk mund të qëndronte edhe prokurimi publik. Vendet tona kanë përafruar legjislacionin e prokurimit publik me ato të aquie communite, kanë ndryshuar rregullat dhe mënyrat e zhvillimit të procedurave të prokurimit publik, duke i kthyer ato më transparente, më gjithëpërfshirësë, duke rritur njëkohësisht aksesin e publikut dhe operatorëve ekonomikë.
Në këtë drejtim, gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë të prokurimeve publike, shumëdimensionale, duke vendosur theksin vecanërisht tek transparenca. Kështu, Komisioni i Prokurimit Publik ka mbështetur reformat e tij në tri shtylla të rëndësishme: digjitalizimin e shërbimit, transparencën dhe rritjen e kapaciteteve profesionale.

Si sot një vit më parë, falë mbështetjes së Kuvendit të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e cila i besoi vizionit tonë, mundësuam, që të gjithë operatorët ekonomikë vendas dhe të huaj, të dorëzojnë elektronikisht ankesat dhe argumentet e tyre si dy shërbime të veçuara në platformën unike qeveritare E-Albania, duke zeruar kostot ekstra dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me çdo zyrë shteti, përfshirë dhe vetë Komisionin e Prokurimit Publik. Sistemi mundëson edhe nënshkrimin elektronik, duke shmangur nevojën e printimit të dokumenteve voluminoze dhe nënshkrimit të akteve, veprimtari e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit”, u shpreh Myzyri.

Duke folur për reformat e digjitalizimit në KPP, Myzyri nënvizoi se ky proces u shoqërua edhe me krijimin e të parit mekanizëm të menaxhimit të cështjeve quasi gjyqësore, një sistem i brendshëm i menaxhimit të ankesave që mundëson ndjekjen në kohë reale si nga ne, ashtu edhe nga operatorët ekonomikë të statusit të shqyrtimit të cdo ankese. Ky sistem ka përkthyer në detyra digjitale, cdo detyrë të parashikuar nga ligji, duke rritur llogaridhënien e të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin e prokurimit.

“Sistemi shoqërohet me një faqe të re zyrtare të Komisionit të Prokurimit Publik, e cila mundëson aksesueshmëri të plotë të vendimmarrjes në tri regjistra publikë. Çdo subjekt i interesuar, jo vetëm që disponon informacion të plotë në lidhje me të gjithë veprimtarinë, por ka mundësi, që përmes motorëve të kërkimit të Smart Search, të kërkojë pa humbur kohë informacionin e nevojshëm.

Vizioni ynë ishte i qartë që në pikënisjen e tij. KPP-ja duhet të ofrojë informacion në kohë reale për të gjithë, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuar në shikim: verbëri, verbëri ngjyrash, rezolucion të ulët në shikim. Një motor i posaçëm aksesimi është implementuar në faqen tonë zyrtare, shërbim i ofruar për herë të parë nga një institucion publik në Shqipëri.

Ne, jo vetëm që kemi vendosur të jemi transparentë, por nivelin e transparencës ta përkthejmë në standardin më të mirë ndërkombëtar që është sot për sot në fushën e prokurimeve, atë të Open Contracting Partnership.

Kjo reformë është njohur, mbështetur edhe vlerësuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Në 15 shtator, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, në “Ministerialin e Ballkanit Perëndimor mbi Reformat në Administratën Publike”, të mbajtur në Maqedoninë e Veriut, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), si institucioni i vetëm përfaqësues nga Republika e Shqipërisë, u vlerësua nga SIGMA-OECD dhe RESPA me çmimin “Njohje speciale për besimin në administratën publike për sistemin e E-Ankesave“.

Ndërkohë, sistemi i E-Ankesave është përzgjedhur ndër 15 projektet më të mira në nivel botëror nga juria e samit të GOV TECH, që do të mbahet pas disa ditesh në Hagë, duke e vendosur kështu Shqipërinë në hartën e iniciativës globale, me një mision të qartë ‘Përsosmërinë në mbështetjen e inovacionit GovTech’. Në drejtim të rritjes së kapaciteteve, kemi ndërtuar një kurrikulë të posacme trajnimi me Universitetin e Tiranës, jemi të lumtur që kemi nisur një bashkëpunim me Këshillin e Lartë e gjyqësor për trajnime të përbashkëta, zyrtarë prokurimi-magjistratë. Jemi më shumë se të nderuar që kemi nisur një bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar Anti-Korrupsion të Republikës së Italisë. Reforma tërësore është njohur edhe nga Komisioni Europian në raportin e vitit 2022 për Shqipërinë. Jemi të lumtur, sa krenare për kaq sa kemi arritur, por edhe aq të përulur për të vazhduar me përkushtim punën në shërbimin e përditshëm në nivelin e kërkuar nga Kushtetuta, ligji dhe Direktivat.

Por, në rrugëtimin tonë të përditshëm sfidat janë të shumta, shpejtësia dhe cilësia në vendimmarrje, qëndrueshmëria dhe ligjshmëria, njohja e mirë e praktikave të vendeve të ndryshme, aplikimi i praktikave të mira të Gjykatës Europiane të Drejtësisë në vendimmarrjet tona, forcimi i kapaciteve të stafit, janë vetëm disa prej tyre që ne ndeshemi cdo ditë.
Jam mëse i bindur, që shumë prej sfidave dhe përpjekjeve të përditshme të Komisionit të Prokurimit Publik të Shqipërisë, janë po aq të ngjashme me të gjitha vendet e tjera. Ndaj dhe ne, jemi sot këtu për të themeluar të parin rrjet të organeve shqyrtuese të prokurimit të Europës Juglindore që Komisioni i Prokurimit Publik ka nderin të drejtojë në vitin e parë”, deklaroi Myzyri.

Duke folur për thjeshtimit e proceduarave, kreu i KPP tha se lehtësimi i procedurave të ankimit për të gjitha vendet e rrjetit do të ishte gjithashtu një sfidë e rëndësishme për të ardhmen.

“Por ne, si vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, vende që aspirojnë të jenë anëtarë, së bashku me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, kemi të qartë, që bashkimi ynë është një dhe i vetëm, Bashkimi Europian. E tillë është edhe gjuha jonë e komunikimit, e tillë është edhe platforma, që ne vullnetarisht kemi zgjedhur dhe jemi pranuar të jemi pjesë, Platforma Digjitale e Komunitetit të Blerësve Publikë të Komisionit Europian. Ne jemi mirënjohës, që Komisioni na ka pranuar të jemi pjesë si një komunitet dhe ne besojmë se me anë të këtij mjeti komunikimi dhe shkëmbimi informacioni do të rrisim cilësinë e ofrimit të shërbimit në vendet tona.

Ky rrjet themelohet sot falë lidershipit të të gjithë drejtuesve të organeve shqyrtuese të prokurimit, Vjosës së Kosovës, Jelenës së Malit të Zi, Fiorentinës së Rumanisë, Kirilit të Maqedonisë së Veriut, Markos të Bosnies dhe Herzegovinës dhe Samos të Sllovenisë, si edhe vecanërisht Majës së Kroacisë, e cila ka luajtur një rol kyc në krijimin e këtij rrjeti.

Ne sot jemi 8 anëtarë themelues, por ky rrjet nuk është i mbyllur. Në radhë të parë një ftesë miqësore i shkon kolegëve tanë të Serbisë, por edhe vendeve të tjera që ndajnë të njëjtin vizion me ne.

Ne jemi po aq të nderuar të kemi si të ftuar të posacëm organin shqyrtues të prokurimit të Republikës së Turqisë. Eksperienca Juaj është shumë e vyer dhe e rëndësishme për ne, ndaj jemi të lumtur T’Ju kemi pjesëmarrës në takimet tona, me një status të posacëm dhe shpresoj që shumë shpejt të jemi së bashku në tavolinën e anëtarëve.

Një përshëndetje e vecantë shkon edhe për drejtuesin e organit shqyrtues të Moldavisë, i cili pranoi në një kohë të shpejtë, ftesën tonë për të qenë pjesë e këtij takimi, të dëgjojë vizionin tonë dhe të ndajë idetë e tij, se si mund të bashkëpunojmë së bashku.

Të bashkuar të gjithë, mund të japim një kontribut të qenësishëm në përmirësimin e njërit prej zinxhirëve më të rëndësishëm të prokurimit, atë të shqyrtimit të ankesave. Ka shumë mësime që mund të nxirren nga vendimmarrja e organeve shqyrtuese të prokurimit, mësime të cilat mund të shërbejnë për të përmirësuar sistemin e prokurimit në tërësi, duke nisur nga problematikat ligjore, në problematikat në zbatimin e ligjit, si edhe risqet e ndryshme për përsëritje të gabimeve procedurale.

Ndaj vlerësoj se ky rrjet, do të japë një impakt të rëndësishëm në zinxhirin e prokurimit të vendeve tona, duke rritur efikasitetin dhe eficencën, transparencën, si dhe duke garantuar integritetin dhe besimin e publikut në procedurat e prokurimit.

Ndaj sot, është një ditë e mrekullueshme, e shënuar në kalendarin e Komisionit të Prokurimit Publik. Ne e kemi të qartë, që para na presin sfida të mëdha për secilin prej vendeve tona, por edhe për rrjetin në tërësi. Por ne e dimë, që edhe në rastin tonë është më shumë se koherente deklarata e babait themelues të Bashkimit Europian, Shumanit, se “Evropa nuk do të bëhet menjëherë, ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, të cilat së pari krijojnë një solidaritet de fakto”. Ky është frymëzimi ynë”, përfundoi Myzyri.