Kryeministri Edi Rama i quajti “fantazi të mirëfabrikuara” në Kremlin akuzat e ngritura në drejtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafik organesh. Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, Rama tha se akuzat e ngritura fillimisht nga prokurorja Carla del Ponte që sollën më pas raportin e Dick Martyt dhe rezolutën e miratuar në këtë këshill, shkaktuan një padrejtësi të madhe ndaj liderëve të UÇK-së. Pas kësaj mbledhje në KiE, reagime të shumta në mbështetje të Ramës kanë ardhur edhe nga Kosova. Ish-kreu i LDK dhe ish-kryeministri Isa Mustafa shkruan sot:
Në Asamblenë e Këshillit të Evropës u tha një e vërtetë e madhe nga goja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Sot, ai ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë.
Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv. Edi u vu në mbrojtje të Kosovës, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre.