Ka disa ditë që, në mënyrë të koordinuar, deputetë të PL dhe PD janë duke keqpërdorur dhe keqinterpretuar një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të kryer në qendrën “Zyber Hallulli”. Raporti, i cili është hartuar nga ekspertë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndër të cilët spikat i vëllai i një deputete të PD (Albana Vokshit), nxjerr disa konkluzione hipotetike në lidhje me dietën ushqimore në këtë qendër.
Por sa të vërteta ka në akuzat e bazuara mbi një raport, të cilin ekspertët në fjalë kanë nxituar ta shpërndajnë në selitë e partive, përpara se ta dërgojnë në institucionet përkatëse, siç e kërkon procedura?
Shërbimi Social Shtetëror ka përgënjeshtruar menjëherë me argumenta konkrete akuzat e PL dhe PD. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Znj. Reme Lala në një dalje publike për Euronews Albania, sërish me fakte ka hedhur poshtë akuzat, duke sqaruar opinionin se nuk ka patur reduktim as të cilësisë dhe as të sasisë së dietës ushqimore për fëmijët e Zyber Hallullit.
Gjithashtu, burimet nga Shërbimi Social Shtetëror bëjnë të ditur se furnizimi kryhet mbi bazën e një kontrate 2-vjeçare, të cilën kompania fituese e procedurës e ka zbatuar dhe vazhdon ta zbatojë, duke u kontrolluar rreptësisht nga ana e autoriteteve. Sipas tyre, “raporti i KLSH nuk ka verifikime faktike në qendër, nuk janë kryer as verifikime të furnizimeve të cilat janë kryer dhe vazhdojnë të kryer sipas të gjitha parashikimeve të kontratë. Gjetjet e shpërndara në selitë e partive politike dhe në media janë thjesht përllogaritje të bëra në mënyrë hipotetike, nga ana e ekspertëve”.
Po kaq e pavërtetë, sipas punonjësve të institucioneve është edhe akuza e hedhur nga deputetja e PD, në lidhje me hartimin e dietës ushqimore. Sipas tyre, “dieta hartohet nga një ekip multidisiplinor i cili e rishikon atë në mënyrë të vazhdueshme me qëllim për ta pasuruar, dhe të gjitha këto janë të evidentuara”.