Qeveria ka vendosur që të gjithë institucionet shtetërore të kursejnë 15% të energjisë elektrike duke bërë krahasim me 1 vit më parë. Për këtë do të emërohet një administrator energjetik në çdo institucion dhe nëse për 2 muaj nuk arrihet targeti, do të gjobitet me 50 mijë lekë gjobë. “Sot bëmë disa ndryshime për aktin normative për marrjen e masave për kohëzgjatjen e emergjencës për furnizimin me energjinë elektrike. E kemi thënë dhe më parë që ne duhet të bëhemi shembulli i parë se si duhet kursyer energjia.
Përmes këtij projekt akti kemi vendosur një kërkesë për të gjitha institucionet shtetërore që duhet të kursejnë 15% të energjisë së konsumuar me faturën e një viti më parë. Kjo është ekuivalente në para e barasvlefshme me 3.4 miliardë lekë. Do të emërojmë administrator energjetik nga titullari i institucionit dhe do të ketë target uljen e konsumit të energjisë për ndërmarrjen që përfaqëson. Parashikohen edhe masat nëse për 2 muaj nuk arrihet targeti nga institucioni. Masa shkon deri në 50 mijë lekë gjobë për drejtuesin e institucionit, administratorin apo përgjegjësin e emëruar”, tha Balluku.