Pak kohë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zbulonin përmes komunitetit të inteligjencës se Rusia kishte shpërndarë më shumë se 300 milionë dollarë, në formën e financimeve të fshehta për parti politike në Europë dhe botë.
Vendi që citohej drejtpërdrejt në raport për financimet ruse ishte Shqipëria, ku sipas inteligjencës amerikane, gati gjysmë milionë dollarë i ishin dhënë partisë demokratike të Lulzim Bashës.
Si të mos mjaftonte ky fakt, mediat malazeze do të zbulonin të tjera të dhëna tronditëse pas një mega operacioni të autoriteteve në Malin e Zi kundër spiunazhit rus. Pasi u godit një fole e spiunazhit rus, që njëherësh shërbente edhe si bankë nga ku shpërndaheshin paratë ruse për Ballkanin, gazeta “Pobjeda” do të zbulonte dy pikat e kontaktit të Rusisë në Ballkan. Sipas gazetës, pikat e kontaktit të Kremlinit në Ballkan, ishin Mirolad Dodik dhe Sali Berisha në Shqipëri.
Edhe më tronditëse janë faktet që vijnë nga mediat e Britanisë së Madhe, ku mes emrave që Rusia po financon atje, është edhe ai i Lordit James Wharton i cili mori pjesë në Kuvendin e PD në prill 2022. Kompania e tij e konsulencës merr pagesa nga kompania Aquind me pronar oligarkun e armëve ruse Fedotov.
Këto janë vetëm disa nga lidhjet e zbuluara publikisht së fundmi, mbi influencën ruse në Ballkan dhe veçanërisht Shqipëri, lidhje që kanë shqetësuar vendet aleate të perëndimit, në kohën kur agresioni brutal i Rusisë në Ukrainë, ka shkaktuar pasoja të rënda për të gjithë Europën dhe botën.