Sali Berisha nuk ndryshon qëndrim për Lulzim Bashën por deputetët demokratë që e mbështesnin duket se po i tërheq pranë vetes. Teksa PD është e përcarë, Berisha i ka shtrirë dorën Alibeajt për bashkëpunim në zgjedhjet vendore 2023 dhe për këtrë kanë nisur bisedimet.

Së fundmi, në një intervistë televizive ka shprehur vlerësim për deputeten Grida Duma, ndonëse nuk e mirëpriti kthimin e Berishës në politikën aktive duke thënë se koha e tij kishte përfunduar. Berisha duket se e vlerëson Grida Dumën për përgjigjet që i jep Edi Ramës, ndaj thotë se nëse do të kishte një emër të dytë, do të quhej Nora e Kelmendit.

“Po të kishte një emër të dytë do të quhej Nora e Kelmendit. Me përgjigjen epike dhe jashtëzakonisht të merituar që i dha Edi Ramës në parlament pasi ai përdori një gjuhë që kurrë nuk mund ta përdorte. Grida i dha përgjigjen më të merituar atij. Pavarësisht se të kërkosh burrëri te ai që nuk e ka se ai që flet në atë mënyrë nuk ka asgjë në kuptimin e integritetit dhe virtyteve. Por i dha përgjigjen e merituar. Grida i tha se aparatin tretës e ke në tru. Sa herë del atje të gjithë shqiptarët e shohin me këtë anomali”, tha Berisha.

Për Lulzim Bashën thotë se ishte “aksident”, ndërsa Ilir Metën e cilësoi trim.

Një koment e kishte dhe për dy ministre të Ramës, Elisa Spiropalin, për të cilën tha “sakrifikon veten për hiçin”, ndërsa për Ballukun tha se është “Miss hedonizmi, për të mos i thënë Miss bifteku”.