Rreth 6 vite pas miratimit me 140 vota në Parlament të Reformës në Drejtësi, institucionet e reja të drejtësisë dhe partitë politike kanë dalë në konkluzionin se reforma ka nevojë për ndryshime.

Sipas përfaqësuesve politikë, ndryshimet nuk do të prekin arkitekturën e saj, por do të jenë të nivelit teknik që të zhbllokojnë sistemin. Në një bashkëbisedim për gazetën “Panorama”, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, njëkohësisht edhe pjesë e grupit të punës për hartimin e draftit me ndryshime, Klotilda Bushka zbardhi disa nga ndryshimet e mundshme.

Situata me stokun e çështjeve ka krijuar nevojën që të përshpejtohet me emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj. Ndaj, sipas Bushkës, viti i tretë i magjistratëve nuk do të jetë më praktikë për magjistratët, por ata do të fillojnë punën dhe do merren me çështje të thjeshta. “Një prej tyre ishte që viti i tretë i magjistraturës të mos ishte vit praktike, por vit pune. Pra, magjistratët në vitin e tretë mësojnë zanatin me një gjyqtar më të vjetër. Duke pasur parasysh se ata kanë bërë fakultetin, kanë bërë tre vite eksperiencë pune, bëjnë edhe 2 vite shkollë, ata janë të aftë për të bërë gjyqe të një natyre më të lehtë çështjesh. Kjo rrit eficencën. I fut në punë dhe evadon çështje dhe çështjet janë të thjeshta. Viti i tretë i jep sens sistemit sepse ke njerëz që mund të marrin përsipër çështje”, bëri me dije kryetarja e Komisionit të Ligjeve.

VETINGU

Një tjetër nevojë që është evidentuar sipas Bushkës dhe që pritet të jetë pjesë e ndryshimeve në Reformën në Drejtësi është heqja e një procesi vetingu për magjistratët. Aktualisht, studentët që fitojnë shkollën e magjistraturës i nënshtrohen një vetingu që merr kohë. Por i njëjti proces bëhet edhe kur përfundojnë shkollën pas tre vitesh. Kjo ka krijuar sipas tyre vonesa në emërime. Ndaj vetingu pas përfundimit të shkollës do të hiqet.

“Magjistratët që shkojnë në shkollën e magjistraturës, ata që janë kandidatë për magjistratë, u bëhet një veting pasi fitojnë shkollën. Pastaj i bëhet edhe një veting pasi mbarojnë shkollën. Të dyja këto kërkojnë të njëjtën kohë. Por gjate kohës që ata në shkollë s’ka pse të bëhet ky vetingu pasi përfundojnë shkollën. Pra, është ideja që të bëjmë vetëm një veting sepse na vonohet emërimi i magjistratëve të rinj në sistem. Ne kemi nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë”, tha ajo. Ndërsa një tjetër ndryshim pritet të jetë edhe emërimi gjyqtar ose prokuror i këshilltarëve ligjor, të cilët në 5 vite pas mbarimit të shkollës shënojnë sukses.

“Ka edhe kërkesa të tjera të natyrës për këshilltarët ligjor. Këta që të bëhen në këtë pozicion duhet të fitojnë konkursin e shkollës. Por ata e bëjnë konkursin, e shohin që nuk fitojnë për magjistratë dhe thonë po rri e po filloj sërish vitin tjetër dhe në këtë mënyrë është ulur kërkesa për këshilltarë ligjor sepse të gjithë duan të bëhen magjistratë. Ai thotë që unë bëj shkollë dhe ndërkohë mbes vetëm këshilltar, ndërkohë që njerëzit aspirojnë të bëhen magjistratë. Aplikojnë këtë vit, s’fitojnë për magjistratë, por për këshilltarë. Nuk fillojnë, por presin një vitin tjetër. Ndërkohë, ne themi këtë që ata që mbarojnë për këshilltarë ligjorë, pasi mbarojnë magjistraturën dhe emërohen diku këshilltarë dhe nëse në 5 vite kanë rezultate të mira, në bazë të një meritokracie, mund të bëhen gjyqtarë, një pjesë të tyre i jep një mundësi të hyjnë në sistem, duke nxitur edhe interesin e tyre të aplikojnë”, tha ndër të tjera Bushka.

PROBLEMI ME INSPEKTORËT

Ndryshime do të bëhen edhe tek ILD dhe prokurori i përgjithshëm. Vitet e fundit është evidentuar mungesë interesi për të aplikuar në ILD për inspektor, pasi aktualisht ka një ndarje që bën diferencim me status dhe pagë. “Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka një problem që është diskutuar edhe në legjislaturën e kaluar, por për efekt të mbarimit të kohës nuk u bë dot. Ata që janë inspektorë-gjyqtarë me ata që janë inspektorëjogjyqtarë ka një diferencë në status dhe në pagesë. Kjo ka bërë që edhe në praktikë ata të ndahen. Njëri më i rëndësishëm, njëri më pak i rëndësishëm, ndërkohë që bëjnë të njëjtën punë.

Kështu është menduar në fillim me idenë që trupa e inspektorëve nuk mund të ishte i gjithi nga sistemi i magjistratëve. Por kjo është parë në praktikë që ka sjell një problematikë. Fluksi madh i punës kërkon stafe atje, por interesi për të aplikuar i kandidatëve nuk është në nivelin e duhur”, tha Bushka teksa shtoi se ndryshimet për kompetencat e kryeprokurorit do të shihen me kujdes që të mos preket arkitektura e Reformës në Drejtësi. “Do të shikohet edhe mekanizmi i kontrollit nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm për punën e prokurorive. Por do të shihet gjithçka duke mos prekur arkitekturën e Reformës në Drejtësi. Në Komisionin e Ligjeve, opozita është shprehur pro ndryshimeve. Ndërkohë ne çdo gjë që po bëjmë po e kryejmë në konsultim me ndërkombëtarët dhe kemi rënë dakord në parim që duhet të bëjmë ndryshime për mirëfunksionimin”, u shpreh ajo.

KONSENSUSI POLITIK

Për të hartuar këto ndryshime në reformën më të rëndësishme të dekadës së fundit në kryesinë e Kuvendit është ngritur një grup pune me 5 deputetë, tri nga PS dhe dy nga PD, të cilët, pasi të marrin një material nga ekspertët, do fillojnë konsultimet. “Dëgjuam në komision sepse do donim të kuptonim nëse kishin kërkesa të tjera. Gjatë raportimeve ata thoshin nevojat që kishin, por ne edhe i pyesnim. Pasi mbaruan monitorimet, morëm kërkesat dhe zbardhëm procesverbalet e nevojave dhe kemi marrë disa ekspertë, të cilët kanë bërë një vlerësim të nevojave që i përligjen vetëm përmirësimit të funksionalitetit të sistemit.

Vetëm këto janë çështjet që do merren në konsideratë dhe më pas këtë vlerësim në konsultim me partnerët ndërkombëtarë OPDAT të Ambasadës Amerikane dhe me delegacionin e BE-së. Ky proces kërkon vullnet politik për sa kohë ligjet kërkojnë shumicë të cilësuar. Duke qenë se janë disa kërkesa dhe me idenë që të mos u hymë ligjeve herë pas here, por t’i gruponim të gjitha, thamë që po bëjmë një grup teknik pune që përbëhet nga: Klotilda Bushka, Eduart Ndreca, Toni Gogu dhe Dhurata Çupi me Gazment Bardhin. Do marrim vlerësimet e ekspertëve, do bëjmë një propozim konkret bashkë me ndërkombëtarët, do bëjmë edhe takime individuale dhe do dalim me një produkt. Këtë produkt, para se ta depozitojmë, do t’ua shpërndajmë anëtarëve të Komisionit të Ligjeve dhe mund të presim propozime paraprake”, u shpreh Bushka për gazetën “Panorama”.