Ky Botëror që nis sot, i 22 në historinë e futbollit, do jetë më i pazakonti. Kjo për shkak se në Katari është një shtet islamik me rregulla shumë strikte dhe disa prej tyre shkelin edhe të drejtat e njeriut. Për cilindo tifoz që shkon atje për të ndjekur nga afër ndeshjet duhet të bëjë mirë disa llogari, pasi dënimet janë të rënda. Më poshtë janë 10 rregullat që asnjë tifoz nuk duhet ti shkelë.

1- PUTHJET – Të shprehësh dashamirësinë në publik nuk lejohet, e jo më gjëra të tjera. Vetë Komiteti organizativ i Botërorit “Katar 2022” e shprehu qartë këtë nëpërmjet drejtorit ekzekutiv Naser al Khater 1 vit më parë. Prandaj, nëse dilni në ekranet e stadiumeve dhe vendosni të putheni në publik, duke u dokumentuar, mos ju duket absurde nëse ju arrestojnë dhe më pas burgosin.

2- HOMOSEKSUALITETI – Sipas ligjit të shenjtë islamik, “Shari’ah”, homoseksualiteti dënohet edhe me vdekje. Jo më kot Xhosh Kavalo, futbollisti australian që doli publikisht 1 vit më parë dhe pranoi homoseksualitetin e tij, nënvizoi se nuk do të shkonte në Katar, pasi nuk ka ndërmend të rrezikojë. Madje, vetëm pak ditë më parë ambasadori i Botërorit, Khalid Selman e tha hapur: “Homoseksualiteti është haram”.

3- JOSHJA – E mbani mend Larisa Rikelmen, tifozen seksi të Paraguait që u bë e famshme, teksa mbante celularin mes gjoksit dhe vishej shumë provokative? Ndoshta po, por një Larisa Rikelme në Katar që ekspozon format e saj me të brendshme apo gjëra të tilla harrojeni. Do të arrestohej menjëherë.

4- SHTRËNGIMI DUARVE – Kjo vlen vetëm ndaj femrave, të kuptohemi. Myslimanët nuk u japin dorën personave të seksit të kundërt, duke qenë se një sjellje e tillë nënkupton tundim ndaj dikujt tjetër. Shkurt, barazia mes sekseve nuk ekziston në Katar.

5- DROGËRAT – Kush provon të konsumojë drogëra dhe të kapet në Katar dy gjëra janë të sigurta: ose një gjobë nga 25-75 mijë euro, ose burgim i përjetshëm e deri në dënim me vdekje, nëse je përsëritës. Këtë e thotë ligji numër 9 i vitit 1987.

6- BIRRAT – Edhe FIFA e pranoi këtë, teksa në shtator nënvizoi: “Nuk do të lejohen birrat në stadiume”. Kjo tërboi sponsorët, por në Katar konsumimi i pijeve të alkoolit në publik ndalohet, por jo në shtëpi. Gjithsesi, në Katar janë 35 hotele e restorante të licencuara për të pirë, por i pashoqëruar, ndonëse çmimi minimal i një gote birrë është të paktën 18 euro.