Tre shkolla të reja, 8 të rikonstruktuara, 6 kopshte dhe 3 çerdhe janë disa nga punët e mira të realizuara vetëm në Njësinë 2 të Tiranës. Në prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2023 me banorët e zonës, kryebashkiaku Erion Veliaj renditi të gjitha premtimet e mbajtura dhe njoftoi edhe projekte të tjera që realizohen ose janë në përfundim në Njësinë 2.
“Punët që kemi premtuar dhe janë bërë, për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë: Kemi premtuar tre shkolla të reja: shkollat “Kosova”, “Bashkim Fino” dhe “Hoxha Tahsin”. Kemi premtuar 8 shkolla të rikonstruktuara: shkollat “Ibrahim Brahja” në Sauk, “Fan Noli”, “Ismail Qemali”, “Mihal Grameno”, “Asim Vokshi”, që sapo e kemi filluar me fondet e PNUD-it, shkollën e baletit “Mustafa Gërbëlleshi”, liceun “Jordan Misja”, dhe sallën e koncerteve “Tonin Harapi”. Kemi premtuar 6 kopshte: “Kopshti 18”, “Kopshti 40”, kopshti i Saukut të vjetër, “Kopshti 68”, “Ishulli i Thesarit”, “Kopshti 65” dhe “Kopshti 41”. Kemi premtuar 3 çerdhe: Çerdhen 52, 54-ën dhe “Çerdhen 10”. Të gjitha këto janë premtime të mbajtura. Kishim premtuar një bibliotekë, e bëmë te “Pazari i Ri”, ka emrin “Moikom Zeqo”. Për sported, na është kërkuar terreni sportiv te shkollat “Mihal Grameno”, “Kosova”, “Ismail Qemali”, “Fan Noli”, “Hasan Tahsin”, për të cilat e kemi mbajtur fjalën”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se janë ndihmuar edhe mijëra familje, çifte të reja, me kredi të buta, bonus qeraje dhe bonus strehimi, edhe pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
“Për programet sociale: Në Njësinë 2 kanë përfituar 2.350 familje kredi të butë, 102 familje bonus qiraje dhe strehimi, 240 familje bonus qiraje nga tërmeti, 720 familje bonus rindërtimi DS1 – DS3, 1 pallat i rikonstruktuar me DS4 dhe kemi 24 pallate në procesin e riparimit të hapësirave të përbashkëta. Kur shikoj shokë e miq, kolegë kryetarë bashkie, që iu ka rënë tërmeti para 20 dhe 15 vitesh, si në Itali, dhe njerëzit janë ende nëpër rulota, them se e kemi menaxhuar me më shumë dinjitet dhe shumë më shpejt edhe se shumë vende të tjera”, deklaroi ai.
Veliaj vuri në dukje se nëse në buxhetin e vitit të kaluar sërish zë kryesor ka qenë rindërtimi i shtëpive dhe shkollave, këtë vit bashkia planifikon një buxhet social, për kategoritë më të prekura nga kriza e shkaktuar nga inflacioni i luftës.
“Karakteristikë kryesore e këtij buxheti do të jetë solidariteti. Po përgatitemi për dimrin, dashtë Zoti vazhdon moti i mirë, dashtë Zoti nuk kemi nevojë të ndezim kaloriferët, kondicionerët, por asnjëherë nuk i dihet dhe kjo është arsyeja që, – meqë jemi në Qytetin Studenti, – të gjithë studentët kanë marrë nga 50% deri në 75% nga Bashkia pagesën e kostos së konviktit, që çunat dhe gocat, në dallim nga ata të tjerët [kandidatët e PD] që i shohin si ardhacakë, si jabanxhinj, si njerëz që po na shtojnë ne trafikun dhe problemet, të ndihen jo vetëm të mikpritur, por edhe të mbështetur nga bashkia më e madhe shqiptare, siç është Bashkia e Tiranës,” u shpreh Veliaj.