Sot shënohen 60 vjet nga hapja e një prej shkollave ikonike të Tiranës, gjimnazit “Sami Frashëri”. Në këtë jubile të veçantë që përkon edhe me ringritjen nga e para të kësaj shkolle, ashtu sikurse janë rindërtuar edhe 40 shkolla të tjera në dy vite pas tërmetit në Tiranë, janë programuar një sërë aktivitetesh.
Në festimet për këtë përvjetor të rëndësishëm të shkollës që ka përgatitur dhjetëra breza përgjatë dekadave të ekzistencës së saj janë bërë bashkë nxënësit të cilët studiojnë aktualisht në këtë gjimnaz me ALUMNI, mësues, ish-mësues, ish-drejtues ndër vite si dhe personalitete të fushave të ndryshme.
Gjatë kremtimeve për këtë jubile emra të njohur mes të cilëve edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ajo e Bujqësisë, Frida Krifca, ministrja e Arsimit, Evis Kushi ajo e Financave, Delina Ibrahimaj kanë nënshkruar emrin e tyre në shkollën që i ka përgatitur.
Aktivitet do të vijojnë përgjatë gjithë ditës së sotme ku nuk do mungojnë edhe disa panele, të cilat do tu japin mundësi nxënësve të shfaqin talentet e tyre në fusha të ndryshme dhe brezave të ndryshëm të shkëmbejnë eksperienca.