Tirana feston sot 78-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Në ceremoninë e vendosjes së kurorave te “Partizani i Panjohur”, organizuar nga Bashkia e Tiranës, ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe personalitete të tjera të shtetit.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se vetëm kur jemi bashkë, njësoj si kundër pushtuesit, ne mund të ringrihemi më të fortë, edhe kur na kërcënojnë fatkeqësi si tërmeti, pandemia apo lufta në Ukrainë.
“Tirana është i vetmi kryeqytet në Europën Lindore që u çlirua me forcat e veta dhe të aleatëve, pa asnjë këmbë ushtari rus në territorin e saj. E sot, teksa trupat ruse synojnë territore të tjera, besoj se për të gjithë ata që kanë një pikëpyetje për luftën, e për të gjithë ata që përdorin politikën për t’u ndarë mbi rëndësinë e luftës, do duhet ta mendojnë sërish! Ndaj, e kam zemrën plot krenari për të gjithë qytetarët tanë, për të gjithë ata që mishërojnë vlerat e luftës, për të gjithë ata që, edhe në politikën e ditëve të sotme, teksa ne përballemi fillimisht me tërmetin, pastaj me pandeminë, mandej me inflacionin e luftës së Putinit – si një luftë e pabesë ndaj popullit të Ukrainës, por edhe një luftë e pabesë ndaj Perëndimit dhe misionit tonë perëndimor – sot, më shumë se kurrë lipset të jemi bashkë. Kur jemi bashkë ne mund të bëjmë gjëra që veç e veç nuk i bëjmë dot. Kur jemi bashkë mund të kalojmë situata që, veç e veç nuk i kalojmë dot. Kur jemi bashkë ne mund të ngrihemi më të fortë, ndoshta edhe më të fortë seç ishim kur u rrëzuam prej tërmetit, prej pandemisë, apo prej kësaj lufte të pabesë. Ndaj miq, sot misioni është i njëjtë si në 17 nëntor të 1944-ës, për të qenë bashkë, për të qenë solidarë, për të qenë perëndimorë,” u shpreh Veliaj.
Ai kujtoi fjalët e Papa Franceskut, pak ditë më parë, gjatë vizitës në Vatikan: “Papa na kujtoi diçka, që ndoshta ne e marrim për të mirëqenë, por tha: “Jeni i vetmi popull që keni shpëtuar hebrenjtë. Jo vetëm jeni çliruar vetë me dinjitet, por keni shpëtuar edhe jetën e të tjerëve”. Tirana jonë ka pasur 10 herë më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore, sesa në fillim. Ndaj, për të gjithë ata që thonë ne s’bëhemi, ky popull s’bëhet, ky vend s’bëhet, le të kujtojmë ku i kemi rrënjët. I kemi rrënjët e forta. Ky vend bëhet! Ky qytet bëhet! Ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, do të jetë së shpejti Qyteti Europian i Sportit, dhe vetëm nëse ne të parët jemi ambasadorët e mirë të Shqipërisë, ne të parët flasim mirë për vendin tonë, ne të parët jemi krenarë për historinë tonë, ne të parët zgjedhim të mos përçahemi për 17-ën, 28-ën, 29-ën, atëherë ky vend ditët më të mira i ka përpara,” deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.
“Ne jemi krenarë, – tha më tej Veliaj, – që përfaqësojmë një politikë, e cila i ka rrënjët në luftën antifashiste”.
“Të paharruar qofshin dëshmorët tanë, i paharruar populli i Tiranës, i cili pavarësisht atyre që edhe sot mundohen të na përçajnë, duke thënë ca janë të ardhur e ca janë vendalinj, ju kujtoj se ata që çliruan Tiranën i përfaqësonin të 36 rrethet e Shqipërisë, i përfaqësonin të 12 qarqet e Shqipërisë, madje në Tiranë kanë luftuar qytetarë, partizanë që vinin nga Kosova, nga Tetova, nga Plava e Gucia. Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë se këtu jemi të gjithë bashkë për një qëllim. Ashtu si himni “Rreth flamurit të përbashkuar”, qofshim gjithmonë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u shpreh krenare që Shqipëria u rreshtua në anën e duhur të historisë: “Çdo komb çlirohet me përpjekjet e veta thoshte i madhi Fan Noli dhe djemtë dhe vajzat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë luftuan lagje më lagje, rrugë më rrugë, barrikadë më barrikadë për të çliruar Tiranën duke shënuar dhe një pikë kulmore drejt çlirimit të gjithë Shqipërisë. Populli i Tiranës dhe populli i Shqipërisë, e përkrahu luftën antifashiste, duke treguar edhe njëherë vlerat e larta, mençurinë, që populli shqiptar ka, duke u rreshtuar krah aleatëve tanë të mëdhenj, duke u rreshtuar në anën e duhur të historisë, aty ku ishte lufta për liri dhe demokraci.”
Në ceremoninë e 78-vjetorit të Çlirimit të Tiranës ishin të pranishëm personalitete lokalë dhe deputetë të Kuvendit, ministra, veteranë të LANÇ si dhe qytetarë të cilët kanë vendosur kurora me lule te Ushtari i Panjohur për të nderuar ata që dhanë jetën në luftë kundër fashizmit.