Prej 1 nëntorit ka nisur aplikimi i qytetarëve për projektin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit, kosto e cila do të subvencionohet në masën 70% nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama informoi sot se në total për javën e parë të nëntorit janë bërë 851 aplikime nga familjet e interesuara për këtë skemë.
Vetëm në 24 orë, për projektin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit në shtëpi janë regjistruar 136 aplikime.
Kryeministri garantoi se qeveria do të do të vazhdojë të mbështesë dhe të mbrojë konsumatorin shqiptar në këtë situatë krize energjie globale.
Nga 1 nëntori qytetarët mund të aplikojnë për të përfituar subvencion në masën 70 % për instalimin e paneleve me ngrohje diellore. Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga klientët familjarë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të ngrohtë sanitar dhe reduktimin e emetimeve të CO2.
Kjo është thirrja e dytë për aplikim, e cila i drejtohet klientëve familjarë të interesuar për marrjen e shërbimit të instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për deri në 2 mijë konsumatorë familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.