Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, po viziton Shqipërinë.
Në një reagim në Tëwitter, Thomas-Greenfield u shpreh se, “sapo zbrita në Shqipëri për dy ditë takime me drejtues të shoqërisë civile dhe qeverisë”.
“Shqipëria është një aleat i palëkundur dhe një partner kritik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, veçanërisht përballë luftës brutale të Rusisë në Ukrainë”, theksoi ajo.
Më tej Thomas-Greenfield në një tjetër postim falënderoi ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila i bëri një tur në sheshin “Skënderbej”.
“Kënaqësi të bëja një tur të sheshit Skënderbej, i cili mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë. Faleminderit për shoqërimin dhe mikpritjen e ngrohtë në Tiranë, ambasadore Yuri Kim”, theksoi Thomas-Greenfield.
Në një njoftim të ambasadës së SHBA në Tiranë, thuhet se në takimet me udhëheqësit shqiptarë, ambasadorja Thomas-Greenfield do të përcjellë mirënjohjen e saj për lidershipin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka treguar si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi një gamë të gjerë çështjesh në mbarë botën.
Ndërsa vizita e saj vjen gjatë 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, ambasadorja Thomas-Greenfield do të diskutojë gjithashtu mënyrat për të forcuar partneritetin tonë në takime me zyrtarë të lartë shqiptarë.
Ambasadorja Thomas-Greenfield do të zhvillojë nesër një takim në orën 09:15 me Presidentin e Republikës Bajram Begaj.
Më pas në orën 10:00, në sallën e Hartave në Kryeministri, kryeministri Edi Rama do të presë ambasadoren Thomas-Greenfield.
Ambasadorja Linda Thomas Greenfield do të marrë pjesë në orën 14.00, në takimin e organizuar në MEPJ “Gratë, paqja dhe siguria”, ku do të marrë pjesë si folëse kryesore së bashku me ministren Olta Xhaçka.