Kjo do të jetë një Europa League si kurrë më parë, në radhët e kompeticionit kontinental shtohen emra të mëdhenj të futbollit, që nga Barcelona, Juventus, Ajax , Sevilla e të tjerë. Që nga 1/16 do të jenë nivele shumë të larta për Europa League që trashëgon nga Championsi klube me prestigj dhe potencial të madh, emra që i shtohen skuadrave të tjera të mëdha si Manchester United, Arsenal apo PSV. Ja cilët janë emrat që i bashkohen Europa League, disa prej tyre me të gjitha kartat në rregull për t’i shkuar kompeticionit deri në fund.

Ajax-i

Traditë dhe programacion. Ajax-i e ka ndërtuar gjithmonë fatin e tij mbi ciklet fituese, ndaj duhet durim, por klubi nga Amsterdam mbetet një nga të mëdhenjtë e Europës. E mbylli Championsin duke fituar në Glasgoë, por nuk mundi të kalojë Napolin apo Liverpool.

Barcelona

E dyta në letër, vetëm pas Bayernit, u surprizua nga Interi që i rrëmbeu kalimin e turit. Një dështim për një klub që synon gjithmonë finalen. Kanë një organikë cilësore, dhe bënë goditje në merkato si ajo e Lewandowskit, padyshim që Barcelona në Europa League është një ndër favoritet, në mos favoritja më e madhe.

Sevilla

Nuk kishin ç’të bënin kundër Cityt dhe Dortmund që u imponuan në Spanjë. Sevilla nuk ishte kurrë praktikisht në garë për kalimin e grupeve në Champions. Zbritja në Europa League e andaluzianëve ju jep atyre mundësinë për të dhënë më të mirën e tyre në nivel kontinental.

Bayer Leverkusen

Në Champions kishin ambicie për t’u kualifikuar në një grup të ekuilibruar, por jo të pamundur. Skuadra e Xavi Alonso fitoi vetëm një herë kundër Atletikos së Madridit, shumë pak për të mbajtur hapin e Portos apo të surprizës Brugge. Tani pritet një reagim në Europa League për klubin e kolosit farmaceutik gjerman.

Sporting Lisbonë

Pasi ëndërruan rikthimin romantik të Cristiano Ronaldos në verë, Sportingu mbeti në garë për kualifikimin në grupin e Champions deri në fund. U rrëzua në shtëpi në 15 minutat e fundit kundër Eintracht Frankfurt, por skuadra e Amorim është shfaqur kompetitive në nivelet më të larta. Në Europa League do të jetë padyshim një nga skuadrat që të gjithë do të donin ta evitonin.

Shakhtar Donetsk

Në grupin e Champions u eleminua në ndeshjen e fundit, të humbur në shtëpi përballë Lepizig. Ukrainasit tani kërkojnë të bëjnë rrugë në Europa League, të udhëhequr nga talenti i Mudryk. Nuk praktikojnë një futboll spektakolar, dhe nuk janë ndër favoritët por Shakhtari mbetet një rival i vështirë.

Salzburgu

Dalja nga Championsi përballë Milanit “djeg”, por gjithsesi skuadra austriake e Red Bull ia doli t’i luajë shanset në grup deri në fund. Ecuria që patën në Champions flet për një skuadër që është mirë të mosnënvlerësohet.

Juventus

Dalin nga skena e Champions pasi prodhuan një nga zhgënjimet më të mëdha të viteve të fundit. Vetëm një fitore kundër Maccabit thotë shumë, edhe pse dëmtimet kanë kushtëzuar së tepërmi këtë fillim sezoni. Çështja është çfarë Juventusi do të shohim në shkurt? Në letër ka organikën për të fituar kompeticionin, padyshim që në Europa League, “Zonja e Vjetër” është në “Pole Position”.