Zëdhënësja e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Nabila Massrali ka sqaruar të premten se Serbia dhe Kosova kanë dorëzuar përgjigje për propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve.
Lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Jozep Borrell, se pret reagimin e Serbisë dhe Kosovës ndaj propozimit të Gjermanisë dhe Francës për normalizim, ajo ka saktësuar për Tanjug se do të diskutohet me të dyja palët në ditët në vijim.
Ajo tha se “propozimi gjermano-francez iu paraqit Serbisë dhe Kosovës për të bërë progres konkret dhe të pakthyeshëm në rrugën drejt realizimit të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve”.
Ajo theksoi se gjatë agresionit rus në Ukrainë nuk mund të ketë tension në Evropë dhe se kriza e përhershme duhet të tejkalohet dhe tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të zvogëlohen.
“Kërkohet përparim i shpejtë në propozim”
“Në këtë kontekst, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme kërkoi nga të dyja palët që të bëjnë progres të shpejtë në propozim dhe i dha mandat përfaqësuesit special [për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë], Miroslav Lajçak, që të zgjasë bisedimet me palët. U bëjmë thirrje të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të ndërmarrin një hap historik në normalizimin e marrëdhënieve, i cili është vendimtar për të përparuar drejt BE-së”, tha Nabila Massrali.
Komisioni Evropian “nuk mund të komentojë përmbajtjen e dokumentit dhe nuk mund të thotë më shumë se sa është thënë publikisht nga Presidenti i KE-së dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së”.
Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen tha të enjten në Berlin se KE-ja mbështet propozimin gjermano-francez për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe do ta integrojë atë në dialog.