Komisioni Evropian propozoi sot reduktimin e mbetjeve nga ambalazhet e panevojshme me 15% deri në vitin 2040 dhe për ta bërë paketimin e mbetur më miqësor ndaj mjedisit.
“Paketimi i tepërt është një shqetësim për ne dhe gjithnjë e më i dëmshëm për mjedisin tonë”, tha nënkryetari i Komisionit Evropian, Frans Timmermans. “Ju porosisni diçka në internet dhe ajo vjen në një kuti masive që është gjysmë bosh”, tha ai.

Komisioni dëshiron që kompanitë të ofrojnë më shumë produkte në paketime të ripërdorshme, të heqin paketimet e vogla plastike dhe të prezantojnë një sistem depozitimi të detyrueshëm. “Aktualisht, në Bashkimin Evropian, mbetjet e paketimeve po rriten më shpejt sesa shkalla e riciklimit të tyre”, tha komisioneri i Mjedisit i BE-së, Virginijus Sinkevičius.

“Nëse ky trend vazhdon, mbetjet e ambalazheve plastike do të rriten me 46% deri në vitin 2030”, sipas një njoftimi për shtyp. Komisioni synon të reduktojë mbi 20 milion tonë emetime të gazeve serrë dhe të kursejë 1.1 milion metër kub ujë nga prodhimi i ambalazheve. Dega ekzekutive e BE-së gjithashtu do të prezantojë një etiketë të re që thotë se nga çfarë paketimi është bërë dhe në cilin kosh riciklimi duhet të hidhet ai.