Sali Berisha ka paralajmëruar protestë ditën kur në Tiranë do të mbahet samiti i BE-Ballkanit Perëndimor, ndërsa socialistët e kanë cilësuar në bllok këtë si një turp për Shqipërinë.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, thotë se ‘non grata’ kërkon që ta vendosë Shqipërinë në ruletën ruse, e nga ana tjetër bën thirrje që të shndërrojmë 6 dhjetorin në një shuplakë të fortë bojkoti, ndaj axhendës destabilizuese të Sali ‘non gratës’.

Më tej Manja thekson se Shqipërinë nuk mund ta marrë peng në marrëzinë e vetmisë së tij Berisha dhe taborët e tij.

‘Berisha kërkon të vendosë Shqipërinë në ruletën ruse. Në 6 dhjetor, këtë ditë historike për shqiptarët kur në Tiranë do të mbahet samiti historik BE-Ballkani Perëndimor, “NON GRATA” kërkon të damkosë Shqipërinë me vulën e turpit të sponsorizuar nga rublat ruse.

Ta shndërrojmë 6 dhjetorin në një shuplakë të fortë bojkoti ndaj axhendës destabilizuese të Sali NON GRATËS.

Shqipërinë nuk mund ta marrë peng në marrëzinë e vetmisë së tij Berisha dhe taborët e tij. Shqipëria iu përket shqiptarëve dhe vendi i saj është në BE e krah SHBA një herë e përgjithmonë!’- shkruan Manja.

Nga konferenca për mediat, Berisha tha se më 6 dhjetor, ditën kur të gjithë liderët e Ballkanit do të mblidhen në vendin tonë do të organizojë protestën e radhës, duke thënë se ky ishte një rast historik që qytetarët me anë të një proteste paqësore të ngrinin zërin e tyre kundër qeverisjes aktuale.

Menjëherë pasi u njoftua protesta, pati edhe një reagim nga pjesa tjetër e Grupit të PD. Deputeti Kreshnik Çollaku thotë se mbajtja e protestës ditën që do të organizohet samiti i BE-së është një gafë e madhe dhe e dëmton opozitën në skenën ndërkombëtare.