Ndryshojnë rregullat e qarkullimit rrugor në Shqipëri. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të reja në Kodin Rrugor, prej 7 gushtit janë ashpërsuar një sërë masash për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit.
Drejtori i Policisë Rrugore, drejtues i parë Perlat Vatoci, bëri të ditura ndryshimet, duke theksuar se qëllimi i masave të reja është rritja e sigurisë rrugore dhe parandalimi i aksidenteve.
Një nga ndryshimet lidhet me drejtuesit që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi. Në këto raste, e drejta për t’u pajisur me patentë shtyhet deri në një vit, ndërsa për të miturit afati shkon deri në dy vjet.
Masa më të ashpra parashikohen edhe për drejtuesit që përsërisin shkeljen e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit. Sipas ndryshimeve të reja, patenta hiqet përgjithmonë nëse drejtuesi rezulton me mbi 0.5 gram për litër alkool në gjak dhe është ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.
Rriten edhe gjobat për sjelljet e rrezikshme në rrugë. Për shkelje që lidhen me mosrregullimin e shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, manovrat agresive, ndryshimin e shpeshtë të korsive pa sinjalizim apo sjellje që rrezikojnë përdoruesit e tjerë, gjoba shkon nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Masat do të zbatohen veçanërisht në zonat urbane, pranë shkollave, në kryqëzime dhe degëzime rrugësh.
Ndryshime ka edhe për përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit. Tashmë, përdorimi i telefonit sanksionohet edhe kur drejtuesi është duke lëvizur me biçikletë, motomjet deri në 50 cc apo monopatinë me motor.
Për drejtuesit e automjeteve, pezullimi i patentës do të aplikohet pas dy ndëshkimeve brenda të njëjtit vit për përdorim të telefonit celular, ndërsa më parë kjo masë zbatohej pas tre shkeljeve.
Kufizime të posaçme janë parashikuar edhe për drejtuesit e rinj, të cilët e kanë marrë lejen e drejtimit gjatë 24 muajve të fundit. Për këtë kategori janë përcaktuar masa specifike lidhur me drejtimin nën ndikimin e alkoolit dhe kufijtë e shpejtësisë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e mundësisë për të shmangur pezullimin e patentës përmes pagesës së dyfishit të masës administrative maksimale.
Deri më 7 gusht, në rastet kur një shkelje parashikonte krahas gjobës edhe pezullimin e lejes së drejtimit, drejtuesi kishte mundësi të paguante dyfishin e gjobës maksimale për të mos iu aplikuar pezullimi. Me ndryshimet e reja, kjo mundësi është hequr dhe pezullimi i patentës aplikohet automatikisht.
Policia Rrugore ka njoftuar se strukturat në të gjithë vendin janë njohur me ndryshimet e reja dhe janë udhëzuar për zbatimin e tyre.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos drejtojnë automjete nën efektin e alkoolit, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit dhe të shmangin parakalimet e palejuara dhe manovrat e rrezikshme.
Sipas Policisë Rrugore, masat ndëshkuese nuk janë qëllimi kryesor, por një instrument për parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve.
“Qëllimi ynë është parandalimi i shkeljeve, parandalimi i aksidenteve dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës”, është mesazhi i Policisë Rrugore.










