Kuvendi i përbashkët Shqipëri-Kosovë është në përgatitjet finale para zhvillimit në vigjilje të Ditës së Pavarësisë.
Të dielën e 27 nëntorit dy kuvendet respektive do të mbajnë një mbledhje të përbashkët.
Albanian Post ka siguruar pamjet e para nga salla plenare gjatë së cilës do të mbajnë fjalimet e tyre krerët qeveritarë, kuvendarë dhe parlamentarë.
Në secilën ulëse do të gjendet një çantë me suvenire të personalizuara me simbolin “dykrenar të flamujve kombëtarë”.
Jo vetëm kaq, pasi përqafimi i “Kuvendit kombëtar” ka përfshirë edhe administratat e të dyja parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Së bashku, referuar pamjeve të siguara nga AP-ja, po punojnë për mbarëvajtjen totale të kësaj seance sublime.
Punimet e seancës plenare pritet të fillojnë në orën 10:00, duke cituar burime zyrtare pranë Kuvendit.
Adresimin e parë gjatë kësaj mbledhje do ta bëjnë dy kryetarët e kuvendeve, Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca.
Më pas, mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Një fjalë përshëndetëse do e mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Në shënim të përvjetorit të festës kombëtare të 28 Nëntorit, është paralajmëruar se do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore.
Tirana ka filluar të gëlojë nga aktivitetet kulturore (jo vetëm politike) pasi po mbahet prej datës 21 nëntor java e kulturës Shqipëri-Kosovë.
Një larmishmëri aktivitetesh artistike, letrare, kinematografike dhe pa dyshim edhe patriotike do të dominojnë gjatë kësaj jave, theksoi kryeministri Rama.
Aktivitetet do të kulmojnë në datën 28 nëntor, për Festën e Pavarësisë, me koncertin e Dua Lipës, në sheshin “Skënderbej”.