Fotoja e këngëtares me famë botërore Rita Ora, do të jetë tashmë në pullat postare të Kosovës. Pulla me imazhin e saj është vendosur që të lëshohet sot në qarkullim postar, që është edhe ditëlindja e artistes.
Me rastin e lancimit të kësaj pulle postare, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu ka shprehur mirënjohje për Rita Orën.
“Është një nder për Posten e Kosovës të nderoj Rita Orën. Ajo na ka dhuruar aq shumë momente të bukura dhe krenari të pafund me këngë, performancë dhe koncerte madhështore. Kjo pullë e bukur le të jetë edhe si dhuratë simbolike e Kosovës për këngëtaren tonë, në këtë ditë të veçantë për të, për kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe kombin tonë “, ka thënë drejtuesja e postës Kadiu.
Për më shumë se dhjetë vite në majat më të larta të skenës muzikore dhe artistike ndërkombëtare, ajo ka shfrytëzuar çdo rast që përmes famës së vet të promovojë vendin e saj të lindjes, Kosovën, si dhe tërë kombin shqiptar. Ajo është frymëzimi i parë për të rinj e të reja që të ndjekin dhe t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre edhe përtej kufijve të trojeve shqiptare.
Gjatë karrierës së saj të bujshme, Rita Ora është shpërblyer dhe nderuar me çmime prestigjioze në arenën ndërkombëtare, si dhe në Kosovë dhe në Shqipëri. Rita Ora mban titullin Ambasadore Nderi e shtetit të Kosovës që nga viti 2015.