Pas vendimit të qeverisë për zhvendosjen e fondit të ekselencës nga të rinjtë që studionin jashtë tek ata që zgjedhin universitetet në Shqipëri, Ministria e Arsimit ka detajuar përmes një udhëzimi formën se si ata mund të përfitojnë deri në një pagë mujore minimale si dhe përjashtim nga tarifa vjetore e shkollimit.

Të gjithë ata që përmbushin kriteret e cituara në tabelën krahas këtij shkrimi mund të aplikojnë brenda muajit janar të viti 2023 për të tërhequr bonusin që iu takon. Ata duhet të bëjnë gati listën me pesë dokumente: kërkesë për aplikim, ID, diplomë dhe certifikatë mature, vërtetimin për pranimin në një degë studimi, si dhe certifikatën e fitimit të olimpiadës (për rastet që kanë).

Të gjitha aplikimet do të shqyrtohen nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AJFAL), e cila harton edhe listën përfundimtare, pasi ka bërë verifikimet e saj. Bazuar në këtë listë, ministra e arsimit harton fondin për çdo institucion publik. Kjo i hap rrugë marrëveshjes trepalëshe mes përfituesit të financimit, Ministrisë dhe Universitetit. Përjashtimisht nga ky vit, listat e përfituesve do të hartohen çdo vit në muajin dhjetor.

HARTIMI I LISTAVE

Duke qenë se nuk ka një afat për procedurën e hartimit të listës së përfituesve, udhëzimi saktëson se studentët që mund të kenë kryer pagesën e shkollimit dhe përfitojnë bursë do ta kenë mbrapsht në llogarinë e tyre. Masa e shpërblimit mujor është sa niveli i pagës minimale në shkallë vendi, 34 mijë lekë. Por, ata që e përfitojnë vitin e parë nuk e kanë të garantuar në vijim. Ata duhet të ruajnë nivelin e ekselencës, mesataren 9.5. Për këtë, në muajin tetor të viti pasardhës e kështu me radhë, ata duhet të depozitojnë listën e notave dhe vërtetimin për shlyerjen e të gjithë detyrimeve të viti pasardhës.

“Në rast të mosplotësimit të kritereve të notës mesatare, studenti e humb të drejtën e përfitimit të mbështetjes financiare për vitin akademik pasardhës. Në këtë rast, AKFAL-ja njofton studentin, institucionin publik të arsimit të lartë dhe ministrinë përgjegjëse për arsimin”, citohet në udhëzimin nr.30, datë 04.11.2022. Përpos humbjes së mbështetjes financiare, studenti është i detyruar të respektojë kushtin fillestar, atë të punës jo më pak se tre vjet në sektorin shtetëror pas përfundimit të studimeve. Për këtë, qeveria kërkon edhe garanci, duke e futur në listën e kushteve në marrëveshje.

KUSHTET

Për të marrë bursën mujore nuk është aq e thjeshtë. Jo çdo maturant që zgjedh të studiojë në një nga programet e lartpërmendura përfiton nga mbështetja e qeverisë. Është kusht që mesatarja e tri viteve të gjimnazit të jetë minimalisht 8.5 që një maturant, i cili përzgjedh një nga degët prioritare të trajtohet me pagë mujore. Në mbështetje të ekselentëve brenda vendit, qeveria ka vendosur gjithashtu t’u japë bursë edhe të rinjve që përfundojnë studimet me mesatare 10 dhe me një mesatare në provimet e maturës jo më pak se 9.5.

Ata e përfitojnë bursën dhe përjashtimin nga tarifa e shkollimit në çfarëdolloj zgjedhjeje që bëjnë në vend, jo në universitetet jashtë. Kategoria e tretë e përfituesve zgjidhet në radhët e fituesve të olimpiadave ndërkombëtare. Ata që zënë një nga tre vendet e para në gara me së paku 15 vende pjesëmarrëse dhe vijojnë studimet e larta në fushën ku kanë marrë çmimin do të marrin mbështetjen e qeverisë me pagë minimale ndërkohë që shkollohen. Por nuk mbaron me kaq. Ka edhe një tjetër kusht, i njëjtë me ata që dikur përfitonin nga fondi i ekselencës dhe që i penalizoi në vijim. Të gjithë ata që trajtohen nga vendimi në fjalë kanë detyrimin ligjor që pas diplomimit të punojnë në sektorin shtetëror së paku tri vite. Kjo, në funksion të qëllimit të këtij vendimi, që është rritja e efikasitetit të fondit të ekselencës.

TRI KATEGORITË QË PËRFITOJNË BURSË

Studentët që kanë zgjedhur të ndjekin një prej programeve të studimit që përbën prioritet kombëtar dhe që ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare jo më pak se 8.5, përfshirë notën e përshkallëzuar të provimeve kombëtare të detyruara të maturës shtetërore

♦ Studentët me notë mesatare 10.00 në arsimin e mesëm të lartë dhe ku në secilin prej provimeve kombëtare të detyruara të maturës shtetërore është vlerësuar me jo më pak se nota e shkallëzuar 9.5 deri në 10.00

♦ Studentët që kanë fituar një prej tri vendeve të para në olimpiada ndërkombëtare të arsimit parauniveristar me më shumë se 15 vende pjesëmarrëse, pavarësisht notës mesatare, ku pranohet në programe studimi që lidhen me lëndën/disiplinën ku ka fituar çmimi.