Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko është shprehur se niveli i lartë i inflacionit po dëmton stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Sejko tha se “prioriteti aktual i politikave ekonomike do jetë marrja e masave për garantimin e stabilitetit të çmimeve në një kohë sa më të shpejtë dhe një kosto sa më të arsyeshme”.

Ai theksoi se BSH ka filluar normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit dhe kjo do vazhdojë deri në momentin kur kushtet monetare e financiare do jenë të përshtatshme për respektimin e objektivit të tyre inflacionit.

“Niveli i lartë dhe i qëndrueshëm i inflacionit dëmton stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, i cili ka qenë dhe mbetet parakusht për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Kjo redukton investimet afatgjata, godet disporcionalisht shtresat me të ardhura të pakta, rrit pasigurinë e bizneseve dhe familjeve. Prioriteti aktual i politikave ekonomike do jetë marrja e masave për garantimin e stabilitetit të çmimeve në një kohë sa më të shpejtë dhe një kosto sa më të arsyeshme. BSH ka filluar normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit dhe duke sinjalizuar vullnetin tonë për vazhdimin e këtij procesi deri në momentin kur kushtet monetare dhe financiare do jenë të përshtatshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit”, tha ai.