Pavarësisht se gjithçka është shtrenjtuar, Shqipëria vijon të renditet ndër vendet që kanë pasur rritjen më të ulët ët çmimeve në Europë. INSTAT ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, i cili i bën ndryshimet e çmimeve të krahasuara me vendet e Bashkimit Europian.
Sipas INSTAT, Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Tetor 2022 është 8,0 % nga gati 12% që është për mesataren e bashkimit Europian me 27 shtete. Shqipëria renditet pas Zvicrës, Islandës, Francës, Spanjës dhe Maltës, ndër vendet që kanë përjetuar rritjen më të ulët të çmimeve në Europë.
Ky nivel relativisht i ulët i inflacionit shpjegohet me energjinë, e cila në Europë është bërë shumë e shtrenjtë për konsumatorët, duke dhënë ndikimin kryesor në treguesin e inflacionit, ndërsa në Shqipëri, çmimi për konsumatorin familjar ka mbetur i pandryshuar deri tani (shënim i Monitor). Psh, sipas Eurostat, në eurozonë në tetor inflacioni arriti në një rekord të ri prej 10.6%, me energjinë që u shtrenjtua me 41.5%, duke ndikuar në 4.4 pikë përqindje të rritjes së inflacionit.
Ndërsa në Shqipëri, në inflacionin e harmonizuar të tetorit (+8%) ndikimin kryesor e kanë ushqimet dhe pijet alkolike, sipas INSTAT, që kanë ndikuar në 4.84 pikë përqindje. Si rrjedhojë buxhetet e familjeve janë rënduar më shumë për nevojat minimale të sigurimit të jetesës, teksa ushqimet zënë rreth 42% të peshës totale të shpenzimeve, kundrejt 12% që është ky tregues në Europë.
Indeksi
Sipas INSTAT, në tetor, rritja më e madhe e çmimeve prej 13,7 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 12,9 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,9 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,9 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,8 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,1 %, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 2,4 % secila, “Argëtim dhe kulturë” me 2,0 % dhe “Komunikimi” me 0,6 %.
Në muajin Tetor 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti” me 0,8 %, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,6 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 %, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secila, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1 %, Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 1,8 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,4 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,2 %
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë.
IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar./Monitor.al