Një hotel me vlerë rreth 1 milion euro është vënë nën sekuestro nga Prokuroria e Durrësit. Ndërtesa me objekt hotel dhe bar e ndodhur në zonën e plazh të Durrësit është në pronësi të shtetasit, Pëllumb Tuda i njohur edhe si Pali Tuda.

Nëpërmjet një njoftimi, Prokuroria e Durrësit jep edhe tri arsye se pse është kërkuar vënia nën sekuestro e kësaj pasurive, ku krahas precedentëve penalë të të pandehurit, thuhet se ai nuk ka mundësi financiare për të pasur një hotel të tillë. Hetimi në fakt ka nisur dy vite më parë për Tudën, banues në të njëjtën zonë. Pas këtyre hetimeve, Prokuroria theksoi se “rezultoi e provuar se ekzistojnë kushtet ligjore për konfiskimin e pasurive të luajtshme/të paluajtshme që rezultojnë në emër të të dyshuarit Pali Tuda, për këto arsye: Së pari: Ekziston përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi P.T., është i përfshirë në veprimtari kriminale të ‘Pastrimit i produkteve të veprës penale’, ‘Trafikimi i narkotikëve’, ‘Shfrytëzimi i prostitucionit’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit’, pasi ndaj këtij shtetasi është ngritur akuzë për kryerje të kësaj vepre penale dhe është dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Së dyti: Shtetasi P.T., zotëron drejtpërsëdrejti në emër të tij pasuritë, objekt konfiskimi. Shtetasi P.T., përfshihet në rrethin e subjekteve, mbi pasuritë e të cilëve shihen nga dispozitat e Ligjit Antimafia nenet 3/1 dhe 2/ a. Së treti: Provohet që vlera e pasurive nuk i përshtatet dukshëm nivelit të të ardhurave, nuk i përgjigjen ndonjë aktiviteti të ligjshëm të deklaruar apo të konfirmuar. Mbi këtë bazë me Vendimin nr. 217, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës: Konfiskimin e pasurisë së mëposhtme në emër të shtetasit P.T., pasurinë pallat, objekt hotel dhe bar në plazhin e Durrësit”.

SEKUESTRIMI I PARË

Ky nuk është sekuestrimi i parë i pasurive ndaj vëllezërve Tuda. Më 13 qershor të vitit 2020, Policia e Durrësit njoftonte se kishte vënë nën sekuestro preventive dy pallate, një hotel dhe një bar-kafe në këtë qytet. Pasuritë kapnin vlerën e 2 milionë eurove dhe ishin në pronësi të Pëllumb Tudës, aktualisht 53-vjeç. Pasuritë ndodheshin në lagjen nr. 13 të qytetit. “Në vijim të veprimeve, pas hetimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, ‘Sekuestro të pasurive’, të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale ‘Trafikimi i drogave’ dhe ‘Shfrytëzim Prostitucioni’. Pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel në lagjen Nr. 13 Durrës. Shuma e sekuestrimit kap vlerën e 2 000 000 euro sipas çmimit të tregut”, njofton Policia.